Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka zbardhur detaje nga operacioni i gjerë antidrogë që po zhvillohet në Tiranë dhe në disa qytete të tjera të vendit, ku deri tani janë arrestuar tre persona të dyshuar si pjesë e një grupi kriminal.
Mësohet se, në pranga kanë rënë Lulzim Pepaj, Florian Marku dhe Anton Kola. Mediat bëjnë me dije se, Lulzim Pepaj është vëllai i Mir Pepaj, një emër i njohur në këtë çështje.
Ndërkohë, me vendim të Gjykatës së Posaçme (GJKKO), janë lëshuar në total 11 masa sigurie me kërkesë të prokurorit Alfred Shehu. Mes personave për të cilët është caktuar masë sigurie është edhe Jetmir Pepaj (Marashi), për të cilin ende nuk ka konfirmim nëse është arrestuar, pasi operacioni vijon.
Sipas SPAK, gjatë aksionit janë sekuestruar pasuri të ndryshme me vlerë rreth 12 milionë euro.
Hetimet tregojnë se grupi kriminal dyshohet të ketë trafikuar rreth 7.5 ton kokainë nga Amerika Latine drejt vendeve të Europës, në disa episode të ndryshme. Ngarkesat e drogës fshiheshin në kontejnerë me produkte të ndryshme, si lëngje frutash, banane, peshk ton apo rrush të thatë, dhe në disa raste kapnin sasi mbi 1 ton.
Në kuadër të operacionit, GJKKO ka vendosur sekuestron preventive mbi 232 pasuri, përfshirë: kompani dhe kuota aksionesh në disa biznese; hotele dhe struktura turistike; 60 prona të paluajtshme në disa qytete të vendit; 89 automjete; 72 llogari bankare.
Operacioni është ende në zhvillim, ndërsa autoritetet po vijojnë punën për kapjen e personave të tjerë të shpallur në kërkim dhe për zbardhjen e plotë të aktivitetit kriminal.
Lini një Përgjigje