
Policia ka arrestuar Valter Bamin, si të dyshuar për përfshirje në masakrën e Krujës, ku u vra kunati i Gentjan Bejtjas dhe u plagosën dy fëmijët e tij.
Pas atentatit, Bami u shoqërua në komisariat dhe i është nënshtruar një ekspertize nëse ka qëlluar apo jo me armë zjarri. Nga ekspertiza, sot ka rezultuar se në dorën e majtë të tij janë gjetur shenja baruti, çka dëshmon se ai ka qëlluar me armë ditët e fundit. Policia ka bërë ndalimin e tij dhe ka ngritur akuzën e armëmbajtjes pa leje, ndërsa po hetohet mbi përfshirjen e tij në atentatin në fjalë.
“Në vijim të veprimeve hetimore në lidhje me ngjarjen e datës 03.07.2023, ku në fshatin Larushkë, Krujë, në oborrin e banesës së shtetasit G. B., është qëlluar me armë zjarri e si pasojë ka humbur jetën shtetasi R. S. Rreth orës 04:00 të po kësaj date, është shoqëruar shtetasi V. B., 37 vjeç, të cilit i janë marrë faktorët plotësues dhe deklarim në lidhje me ngjarjen e mësipërme e më pas është lënë i lirë, ju informojmë se:
Sot me datë 06.07.2023, bazuar në përgjigjen e aktit të ekspertimit kimik, ka rezultuar se në dorën e majtë të shtetasit V. B., janë konstatuar faktorë plotësues të qitjes me armë zjarri.
Mbi bazën e këtij akti ekspertimi, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë ka lëshuar sot më datë 06.07.2023, urdhrin e ndalimit për këtë shtetas për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, parashikuar nga neni 278 i Kodit Penal.
Po sot, rreth orës 20:30, në fshatin Greps, Nikël, është lokalizuar, kapur dhe shoqëruar në ambientet e DVP Tiranë shtetasi V. B., 37 vjeç, banues në Nikël, Fushë Krujë. Ndërkohë vazhdojnë intensivisht hetimet për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes së mësipërme”, njofton policia.
Atentati ndodhi pak pas mesnatës së të martës, 4 korrik 2023 kur Ramazan Sino sapo kishte hyrë me makinë në oborrin e kunatit të tij, bashkë me nipat. Në drejtim të tyre u qëllua me breshëri kallashnikovi, duke e lënë dajën e të miturve në vend, ndërsa të dy u plagosën. Autorët dogjën automjetin bashkë me 3 kallashët në afërsi të Tapizës, duke humbur çdo gjurmë. Për shkak të plagosjes së dy fëmijëve, dhe veprimeve hetimore që kanë të bëjnë me ta dosja penale i ka kaluar seksionit për të miturit në prokurorinë e Tiranës.
I konsideruar si personazhi kyç në ngjarje, marrja në pyetje e Gentian Bejtjes vlerësohet e rëndësishme nga policia pasi pista kryesore që po ndjek grupi i hetimit është hakmarrja. Por deri më tani nuk ka asnjë gjurmë për të.
Lini një Përgjigje