TAGS-AT E JAVËS

Kronike 5 Qershor 2025, 11:50

Masakra e Bradasheshit, Alibej rrëfehet për ekzekutorët e familjes: Takimi i dyshimtë mes Abedin Mamës dhe Tonin Vocajt në Elbasan

Shkruar nga Pamfleti
Masakra e Bradasheshit, Alibej rrëfehet për ekzekutorët e
Dy të penduarit e drejtësisë, Nuredin Dumani, Erjon Alibej dhe ish-drejtori i policisë Tonin Vocaj

Vijon dëshmia e të penduarit të drejtësisë, Erion Alibej, në kuadër të dosjes “Plumbi i Artë”, ku ai ka rrëfyer me detaje se si përmes rrjeteve të informatorëve dhe teknologjisë shtetërore, kishte ndërtuar një skemë monitorimi për rivalët e tij në botën e krimit.

Në seancën e fundit, Alibej deklaroi se Ardian Çollaku ishte burimi i tij më i besuar dhe përmes tij kishte mësuar për herë të parë se kush ishte Dashnor Dumani. “Ai më tregoi që vëllai i tij kishte grabitur një kambist në lagjen Kala”, tha Alibej.

Më tej, ai shtoi se kishte pasur akses në sistemin TIMS dhe e përdorte për të kontrolluar hyrje-daljet e personave që konsideronte të rrezikshëm për jetën e tij.

“Kisha hyrje-daljet, fotot dhe lëvizjet e të gjithëve nga Çopjat te Qosja, tek Dumani”, u shpreh ai, duke shtuar se kishte filluar të humbte besimin tek institucionet e drejtësisë në Elbasan.

Ai përmendi edhe një takim të dyshimtë mes Abedin Mamës dhe Tonin Vocajt në Elbasan, që përkoi me ndërrimet e drejtuesve të Policisë, duke nënkuptuar ndikim të paligjshëm në zinxhirin drejtues.

“Unë po kërkoja ekzekutorët e familjarëve të mi. Kam bërë vetë hetuesin, prokurorin, gjyqtarin dhe i kam vënë në dispozicion drejtësisë çdo informacion”, tha Alibej, duke nënvizuar se që pas vetëdorëzimit, personi i parë që kishte informuar ishte drejtuesi i prokurorisë Leonard Palushi.

Në paraburgim, prokurori Ridvan Suka i cili po hetonte vrasjet e familjarëve të tij dhe çështjen e Xhoni Rustës ishte takuar me të. “I tregova gjithçka që dija, nuk doja luftë, sepse pas meje ishin shumë familje që shikonin vetëm mua”, përfundoi ai.

 

Lini një Përgjigje