
Një kriminel shqiptar i kokainës me bazë në Ekuador dhe i arrestuar javën e kaluar në Emiratet e Bashkuara Arabe akuzohet për përdorimin e Emirateve të Bashkuara Arabe si një qendër për pastrimin e parave të ardhura nga droga, sipas dokumenteve gjyqësore të siguruara nga OCCRP.
Dokumentet janë pjesë e dosjes së hetimit në Ekuador, ku Dritan Gjika akuzohet për drejtimin e një organizate të fuqishme të trafikut të drogës. 48-vjeçari u arrestua më 26 maj në qytetin e Abu Dhabit të Emirateve të Bashkuara Arabe me një urdhër arresti nga Ekuadori.
Në shkurt, Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Shtetit e quajti Gjikën "udhëheqësin e operacioneve të mafias shqiptare në Ekuador". Dokumentet gjyqësore të siguruara nga OCCRP zbulojnë detaje të operacioneve të grupit, si në Ekuador ashtu edhe në Emiratet e Bashkuara Arabe.
Prokurorët ekuadorianë akuzojnë Gjikën dhe bashkëpunëtorët e tij se kanë përdorur disa kompani për të transportuar drogë nga vendi i Amerikës së Jugut në Evropë, të fshehur në ngarkesa me banane. Për të pastruar fitimet e paligjshme, dyshohet se ata janë mbështetur në kompani në Emiratet e Bashkuara Arabe, si dhe në Spanjë.
Dokumentet tregojnë se provat e mbledhura nga policia dhe prokurorët ishin mjaftueshëm të forta për të bindur një gjyqtar të autorizonte një urdhër-arresti ndërkombëtar për arrestimin e Gjikës, në mënyrë që ai të mund të sillet në gjyq në Ekuador.
Avokati i Gjikës nuk iu përgjigj një kërkese për koment.
Dokumenti përmend gjithashtu një tjetër komunikim të përgjuar mes Gjikës dhe dikujt që punonte me një kompani në Dubai. Ata po diskutonin nevojën për të lëvizur shuma të mëdha parash duke përdorur ndërmjetës.
“Mbajini transfertat nën 50,000 në mënyrë që të mos alarmojmë autoritetet”, citohet të ketë thënë Gjika. Megjithatë, autoritetet filluan të dyshonin.
“Transaksionet në këto llogari përfshijnë depozita të parregullta, shumica e tyre në para të gatshme, të cilat kanë ngritur alarm tek autoritetet financiare”, thuhet në dokument.
“Përveç kësaj, u zbuluan transferta të shumta në llogari ndërkombëtare, duke nxitur një kontroll edhe më të madh”, thuhet gjithashtu në dokument.
Policia Kombëtare e Ekuadorit tha në një deklaratë më 26 maj, se është duke ndjekur procesin e ekstradimit të tij nga Emiratet e Bashkuara Arabe dhe se forcat e rendit spanjolle morën pjesë në arrestimin e Gjikës.
Policia Kombëtare deklaroi gjithashtu se Gjika kishte mbërritur në Ekuador në vitin 2009 me vizë të përkohshme për vizitorë, por më pas u bë “njëri nga njerëzit më të kërkuar në vend”, duke udhëhequr një grup që trafikonte drogë në Amerikën Qendrore, Spanjë, Holandë dhe Belgjikë.
Një gjykatë ekuadoriane dënoi tetë anëtarë të grupit kriminal në janar për akuzën "pastrimin e parave të krimit nga trafiku i drogës"./ OCCRP
Lini një Përgjigje