TAGS-AT E JAVËS

Kronike 3 Prill 2026, 13:12

Magazina me kanabis në Peqin, pezullohen nga detyra shefi i komisariatit dhe 6 efektivë të tjerë; zbardhen emrat

Shkruar nga Pamfleti
Magazina me kanabis në Peqin, pezullohen nga detyra shefi i komisariatit
Magazina me kanabis në Peqin

Shtatë punonjës të komisariatit, me detyra komisarë, nënkomisarë dhe inspektorë janë pezulluar nga detyra...

Shtatë punonjës policie janë pezulluar nga detyra pas zbulimit të një magazine ku kultivohej kanabis në zonën e Peqinit.

Efektivët e pezulluar janë: Komisar Altin Gusho, Komisar Danjel Kacaniku, Nënkomisar Sefer Dushku, Inspektor Muharrem Zylyfi, Nënkomisar Bilbil Lita, Komisar Denis Sinani dhe Inspektor Arben Koseni.

Vendimi për pezullimin e tyre është marrë për moszbatim të hapur të dispozitave ligjore në përmbushje të detyrave funksionale, në lidhje me rastin e kultivimit të bimëve narkotike në dy ambiente të mbyllura në fshatin Kurtaj, Peqin, më datë 19 mars 2026.

Magazina e kanabisit në Peqin: 

Operacioni u zhvillua nga Policia e Shtetit pas informacioneve të siguruara në rrugë operative, sipas të cilave në një magazinë në fshatin Kurtaj të Peqinit funksiononte një “shtëpi bari”.

Objekti ku u zbulua kanabisi gjatë aksionit të 19 marsit rezulton të jetë në pronësi të Bilal Hasës, ish-drejtor i Burgut të Rrogozhinës. Ai u shpall në kërkim dhe u paraqit vetë disa orë më vonë në komisariat. Një ditë më pas, policia njoftoi se ai u la i lirë, pasi nuk u gjetën prova që e lidhin me laboratorin e drogës. Ndërkohë, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve vendosi pezullimin e tij nga detyra.

Gjatë marrjes në pyetje, Hasa ka mohuar çdo përfshirje, duke deklaruar se prej muajsh nuk e frekuentonte objektin ku u zbuluan 1105 vazo me bimë dhe fidanë kanabisi, si dhe nuk kishte dijeni për aktivitetin që zhvillohej aty. Sipas tij, për pronën, përfshirë magazinën, kujdesej vëllai i tij.

Gjatë ndërhyrjes së policisë nuk u gjet asnjë person në afërsi të plantacionit, çka ka ngritur dyshime për dekonspirim të operacionit. Këto dyshime shtohen edhe nga fakti se një kultivim në përmasa të tilla dhe në fazë të avancuar kërkon kujdes dhe mbikëqyrje të vazhdueshme. Në ambientet e godinës janë gjetur edhe mbetje të vjetra kanabisi, duke lënë të kuptohet se aktiviteti mund të ketë nisur prej kohësh dhe se 4000 rrënjët e zbuluara nuk ishin mbjellja e parë.

Në vendngjarje janë sekuestruar edhe objekte me gjurmë ADN-je, si shishe plastike, bishta cigaresh dhe mjete pune.

Sipas burimeve, magazinat janë përdorur më parë si hambarë për pajisje bujqësore dhe blegtorale, si dhe si stalla për bagëti.

Nga operacioni është arrestuar vetëm një punonjës i OSHEE-së, faturisti 23-vjeçar Erion Dogovelli, i dyshuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”. Ndërkohë, në kërkim janë shpallur edhe dy përgjegjës të OSHEE-së në zonën e Peqinit, Ervis Maçi, 36 vjeç dhe Denis Elezi, 34 vjeç.

Dyshohet se “shtëpia e barit” furnizohej me energji elektrike përmes një transformatori me kapacitet të lartë, i mjaftueshëm për një lagje të tërë, i cili dyshohet se ishte përdorur për të mbështetur kultivimin e kanabisit përmes pajisjeve ndriçuese të posaçme.

Njoftimi i policisë:

"Pezullohen nga detyra 7 punonjës policie, për moszbatim haptazi të dispozitave ligjore për përmbushjen e detyrave funksionale, në lidhje me rastin e kultivimit të bimëve narkotike në 2 ambiente të mbyllura, në fshatin Kurtaj, Peqin, më datë 19.03.2026.

Në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale, të kryera në vendngjarje, me porosi të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, me qëllim përcaktimin e përgjegjësisë ligjore, lidhur me rastin e kultivimit të bimëve narkotike në 2 ambiente të mbyllura, në fshatin Kurtaj, Peqin, që u zbuluan më datë 19.03.2026, Drejtoria e Standardeve Profesionale filloi hetim disiplinor, në zbatim të nenit 121, pika 1, germa “i”, të ligjit “Për Policinë e Shtetit”, “Moszbatim haptazi i dispozitave ligjore për përmbushjen e detyrave funksionale”, për punonjësit e Policisë:

Komisar A. G., me detyrë Shef i Komisariatit të Policisë Peqin;

Komisar D. K., me detyrë Shef i Krimeve në Volum, në Komisariatin e Policisë Peqin;

Nënkomisar S. D., me detyrë Specialist i Policisë Kriminale, në Komisariatin e Policisë Peqin;

Inspektor M. Z., me detyrë Specialist i Policimit në Komunitet, në Komisariatin e Policisë Peqin;

Nënkomisar B. L., ish-shef i Komisariatit të Policisë Peqin, aktualisht me detyrë Shef i Komisariatit të Policisë Devoll;

Komisar D. S., ish-shef i Krimeve në Volum në Komisariatin e Policisë Peqin, aktualisht me detyrë Shef i Krimeve në Volum në Komisariatin e Policisë Devoll;

Inspektor A. K., ish-ndihmësspecialist për Policinë Kriminale (agjent) në Komisariatin e Policisë Peqin, aktualisht me detyrë trupë shërbimi në Njësinë e Pritjes dhe Sigurisë në Gjadër.

Për këta punonjës, për mangësi të konstatuara gjatë përmbushjes së detyrës, bazuar në nenin 163, pika 3, germa “a”, e rregullores së Policisë së Shtetit, miratuar me VKM nr. 112, datë 24.02.2025, u bë pezullimi disiplinor nga detyra.

Policia e Shtetit është e vendosur për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike, për të çuar para drejtësisë autorët e saj, si dhe për të ndëshkuar cilindo punonjës policie që nuk përmbush detyrat funksionale, që bëhet ndihmës apo palë me shtetasit që kryejnë këtë veprimtari.", njofton policia.

Lini një Përgjigje