Mediat spanjolle kanë publikuar detaje të reja rreth vrasjes së Miklovan Dakajt.
20-vjeçari Miklovan Dakaj, i cili jetonte në Costa del Sol, u pa për herë të fundit i gjallë në 13 maj 2025. Ish-partnerja e tij denoncoi zhdukjen në Policinë Kombëtare spanjolle. Që në fillim, hetuesit dyshuan për një rrëmbim të lidhur me krimin e organizuar që vepron në jug të Spanjës.
Muaj më vonë, në tetor, një shtetas polak gjeti rastësisht një qese të madhe në rezervuarin e Casasola-s në Almogía (Malaga). Brenda saj ndodheshin mbetjet e trupit të Dakajt, të lidhura shkruan "La Razon".
Njësia e Policisë Gjyqësore e Malagas ka zbardhur krimin. Edhe pse zyrtarisht nuk është konfirmuar lidhja me trafikun e drogës, dyshohet se vrasja mund të jetë pasojë e një larjeje hesapesh. Raste të tilla po shtohen në provincën e Malagas, ku grupe kriminale veprojnë me një shkallë të lartë lirie.
Në vitet e fundit është rritur ndjeshëm dhuna mes këtyre grupeve. Në Marbella janë shënuar më shumë të shtëna me armë në zona të ndryshme, nga klubet e natës te palestrat, madje edhe në autostradë apo ambiente sportive. Për këtë arsye, prej më shumë se një viti, një komisar koordinon njësitë antidrogë për të frenuar këtë fenomen.
Organizatat kriminale janë bërë më të fuqishme dhe më të dhunshme. Përveç trafikut të hashashit përmes Ngushticës së Gjibraltarit, ato janë përfshirë edhe në trafikun e kokainës, që sjell fitime më të mëdha. Kjo ka rritur rivalitetin mes grupeve, përfshirë edhe grabitjet mes tyre.
Rritja e aktivitetit kriminal ka sjellë edhe përdorimin më të shpeshtë të armëve të luftës, si automatikët dhe pushkët AK-47. Sipas ekspertëve, një pjesë e këtyre armëve vjen nga furnizimet e lidhura me luftën në Ukrainë.
Edhe pse vrasja e Dakajt nuk u krye me armë zjarri, ajo pasqyron nivelin e lartë të dhunës mes grupeve kriminale. Sipas denoncimit të ish-partneres, më 12 maj ai ndodhej në një restorant në Puerto Banús. Rreth orës 14:30, ai i tha se do të shkonte në një restorant tjetër për të takuar disa persona që i kishin premtuar një punë si truprojë. Pas kësaj, humbi çdo kontakt.
Gjatë dy ditëve në vijim, ish-partnerja e tij konstatoi se makina e Dakajt, një BMW X6, mbeti e parkuar në të njëjtin vend.
Hetimet u morën nga seksioni i krimit të organizuar në Costa del Sol, pjesë e njësisë antidrogë UDYCO në Malaga. Përmes analizës së kamerave të sigurisë, policia identifikoi një automjet Peugeot 208, i marrë me qira në Barcelonë disa ditë para zhdukjes, që ndodhej në vendngjarje.
Pamjet filmike lidhin një grua, Marina C., me të dyshuarin kryesor Ilir J., shtetas shqiptar, si dhe me një të dyshuar të tretë, Indrit G. Kamerat tregojnë se Dakaj u largua me këtë automjet së bashku me personat që dyshohen si autorë.
Hetuesit monitoruan telefonat e të dyshuarve dhe kryen vëzhgime në terren. Edhe pse një pjesë e itinerarit drejt rezervuarit nuk dokumentohet plotësisht nga kamerat, të dhënat e sinjalit të automjetit e vendosin atë në zonën ku u gjet trupi.
Me vendim gjykate të datës 17 mars, Ilir J. është lënë në burg pa të drejtë lirimi me kusht, ndërsa për Indrit G. është caktuar një garanci prej 25 mijë eurosh. Hetimet vazhdojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Lini një Përgjigje