Për më shumë se katër orë, bashkëpunëtori i drejtësisë Erion Alibej ka dhënë një dëshmi kyçe për drejtësinë belge, në lidhje me vrasjen mafioze të Arjan Spahiut, ndodhur në lagjen Molenbek të Brukselit në vitin 2020. Dëshmia u zhvillua online, drejtpërdrejt nga ambientet e GJKKO në Tiranë, në prani të prokurorit të SPAK, Altin Dumani, dhe gjyqtarit Erjon Bani.
Ngjarja, që në Belgjikë konsiderohet ndër vrasjet më të rëndësishme me prapavijë ndërkombëtare, ka çuar në identifikimin e Franc Çopjas si porositës i atentatit. Ky i fundit, me origjinë nga Elbasani dhe prej vitesh me qëndrim në Dubai, akuzohet nga drejtësia belge për hakmarrje të pastër dhe larje hesapesh mes dy klaneve rivale, pas humbjes së një sasie prej 50 kg kokainë në Britaninë e Madhe.
Sipas hetimeve, viktima Arjan Spahiu, i njohur si “Arjani i Vogël”, kishte lidhje të ngushta me klanin Alibej, përmes lidhjeve familjare me Erion Alibej, dhe konsiderohej si financier dhe njeri i besuar i grupit. Në momentin e ekzekutimit, ai ishte duke hetuar për llogari të Alibej mbi autorët e atentatit të përgjakshëm të Bradasheshit, ku në dhjetor 2018 u vranë tre persona, mes tyre vëllai i Erionit, Endrit Alibej (“Tarzani”).
Letërporositë e mbërritura në Ministrinë e Drejtësisë zbulojnë se si autorë të drejtpërdrejtë të atentatit në Molenbek dyshohet të jenë Florenc Meçe alias “Gega” dhe Elvis Murati. Të dy janë arrestuar përkatësisht në Spanjë dhe Gjermani, por nuk janë ekstraduar drejt Belgjikës. Autoritetet shqiptare nuk kanë dhënë informacion mbi arsyet e mosekstradimit.
Me dëshminë e Alibej, drejtësia belge përpiqet të zbardhë në thellësi përplasjen e përgjakshme mes dy prej grupeve më të rrezikshme shqiptare në Europë: Çopja dhe Alibej. Në qendër të luftës: drogë, gjak dhe kontroll territori.
Lini një Përgjigje