TAGS-AT E JAVËS

Kronike26 Janar 2026, 15:46

Emrat/ Zbardhen detaje nga aksidenti tragjik në Gramsh, humb jetën infermierja; mësuesja dhe shoferi në gjendje kritike

Shkruar nga Pamfleti
Emrat/ Zbardhen detaje nga aksidenti tragjik në Gramsh, humb jetën
Ambulanca drejt vendit të ngjarjes

Ngjarje tragjike në Gramsh, një viktimë dhe dy të plagosur

Zbardhen detaje të reja nga aksidenti tragjik që ndodhi në Bardhan të Gramshit, ku një mjet tip kamion, që transportonte dy punonjës të shërbimeve publike drejt zonave të thella, ka përfunduar në humnerë, duke shkaktuar një viktima dhe dy të plagosur rëndë.

Në mjetin që udhëtonte në aksin Kabash–Porocan ndodheshin Dëshira Hoxha, infermiere; Albana Boja, mësuese; dhe Shaban Kotorri, drejtuesi i mjetit.

Bëhet me dije se infermierja Dëshira Hoxha ka ndërruar jetë, duke u konfirmuar si një nga viktimat e aksidentit. Mësuesja Albana Boja ka mbetur e plagosur rëndë dhe është transportuar në gjendje kritike drejt Spitalit të Traumës në Tiranë, ndërsa drejtuesi i kamionçinës ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore dhe është dërguar për trajtim mjekësor në spitalin e Gramshit. Mësohet se në sallën e operacionit ka komunikuar drejtuesi i mjetit, i cili, ndonëse në gjendje të rëndë, ka raportuar se mësuesja dhe infermierja kishin ndërruar jetë pas aksidentit.

Në aksin rrugor “Gramsh-Porocan”, kamioni me drejtues shtetasin Sh. K., 38 vjeç, ka dalë nga rruga. Si pasojë e aksidentit janë dëmtuar drejtuesi i kamionit, shtetasi Sh. K., dhe shtetasja A. B., pasagjere, të cilët janë transportuar për në spital për ndihmë mjekësore, ndërsa ka humbur jetën shtetasja D. H., 43 vjeçe, pasagjere në kamion. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave dhe shkaqeve të aksidentit”, njofton policia.

Ngjarja, përveç tragjedisë njerëzore, ka nxjerrë në dritë edhe një realitet të hidhur; mësuesit dhe infermierët e zonave rurale udhëtojnë me mjete të papërshtatshme, pa asnjë standard sigurie, si mallra të transportit, për të shkuar në detyrë. Në këtë rast, ishte një kamion që mbante shërbimin bazë të shtetit; një ironi e dhimbshme për një vend që pretendon të ofrojë kujdes e arsimim dinjitoz për të gjithë.

Policia Rrugore dhe grupet hetimore ndodhen në vendngjarje, ndërsa pritet ekspertiza zyrtare për të zbardhur shkaqet e plota.

aksident gramsh

Lini një Përgjigje