
Një 34-vjeçare me shtetësi gjermane është arrestuar nga policia federale në aeroportin e Mynihut, për të vuajtur pjesën e mbetur të një dënimi të lidhur me trafik ndërkombëtar droge.
Gruaja ishte shpallur fajtore nga drejtësia shqiptare për përfshirje në trafikimin e rreth 500 kilogramëve kokainë nga Kolumbia drejt Shqipërisë, një operacion që sipas hetimeve ishte organizuar së bashku me bashkëshortin e saj. Droga transportohej e fshehur në ngarkesa me pleh artificial.
Për këtë çështje, në vitin 2024 ajo u dënua në Shqipëri me tetë vite burg. Më pas, në fillim të vitit 2026, 34-vjeçarja kërkoi që dënimin ta vuante në Gjermani.
Gjykata Rajonale e Bremenit pranoi transferimin e saj dhe vendosi njohjen e vendimit të dhënë nga autoritetet shqiptare. Si rezultat, dënimi u përshtat sipas legjislacionit gjerman në pesë vite e dy muaj burg, duke i zbritur kohën e kaluar më herët në burg në Shqipëri.
Pas mbërritjes në aeroportin e Mynihut dhe përfundimit të procedurave policore, gruaja u dërgua në burgun e grave në Mynih, ku do të vuajë pjesën e mbetur të dënimit.
Lini një Përgjigje