TAGS-AT E JAVËS

Kronike21 Maj 2026, 11:16

Apeli rikthen dosjen e vrasjes së ish-policit Arben Bilali, urdhëron rihapjen e hetimeve

Shkruar nga Pamfleti
Apeli rikthen dosjen e vrasjes së ish-policit Arben Bilali, urdhëron
Cukali-Bilali

Gjykata e Apelit ka urdhëruar Prokurorinë të rifillojë hetimet për vrasjen e ish-efektivit të Policisë së Shtetit, Arben Bilali, i ekzekutuar në janar të vitit 2019 në zonën e Selitës, në Tiranë.

Për atentatin është akuzuar Gjergj Cukali, ndërsa çështja rikthehet sërish në fokus pas vendimit të Apelit për vijimin e hetimeve.

Arben Bilali u qëllua për vdekje më 30 janar të vitit 2019, teksa po udhëtonte me automjetin e tij tip “Hyundai” me targa AA867HX. Autorët, ende të paidentifikuar, dyshohet se kanë qëlluar drejt tij me 14 plumba dhe më pas janë larguar nga vendngjarja me një automjet tip “Benz”.

Edhe pse ndihma mjekësore iu dha në kohë të shpejtë, ish-polici nuk arriti t’u mbijetonte plagëve të marra.

Hetimet paraprake kanë ngritur dyshime se ngjarja lidhet me motive hakmarrjeje, pasi familja Bilali ka pasur konflikte të hershme me familje të tjera në kryeqytet. Përplasjet ndër vite kanë sjellë disa viktima, mes tyre edhe dy vëllezërit e Arben Bilalit, të vrarë në vitet 1997 dhe 2010, po në zonën e Selitës.

Kujtojmë se në shtator të vitit 2019, pas vetëm 4 muajve në qeli Cukali, u lirua nga burgu nga gjykata e Apelit me trupë gjykuese Alaudin Malaj, Elbana Lluri dhe Gentian Shala. Gjergj Cukali, i njohur si i “forti i Myslym Shyrit”, u arrestua si një nga të dyshuarit kryesor të vrasjes së ish-efektivit Arben Bilali për shkak se gjurmët e gjetura në një bidon plastik uji brenda mjetit të braktisur të autorëve përputheshin me të tijat, provë kjo e cila nuk ishte bindëse për gjyqtarët e Apelit të Tiranës, duke i rikthyer atij lirinë.

Dy gjyqtarët që kanë dhënë “ok” për lirimin e Cukalit, Alaudin Malaj, Elbana Lluri kanë nxjerrë të paligjshëm procedurën e kryerjes së analizës së ADN-së së pështymës së Cukalit që u gjet brenda në makinën e vrasësve të ish-policit, duke e krahasuar atë me mostra të vjetra pështyme që i janë marrë këtij personi kur është arrestuar disa vite më parë.

Gjithashtu, dy gjyqtarët e mësipërm nxorën “nul” edhe faktin se këqyrja e automjetit tip Benz që është përdorur nga autorët për vrasje, nuk është bërë në vendin ku është gjetur por mjeti është transportuar me karrotrec në një garazh të policisë, aty ku është bërë dhe këqyrja e mëtejshme e mjetit.

Ish-efektivi policisë Arben Bilali u ekzekutua më 30 janar 2019 teksa zbriti nga një makinë në zonën e Tiranës së Re pak para se të futej në banesë, ndërsa nga ai moment asnjë autor është në pranga dhe i dyshuari Cukali është lënë i lirë. Arben Bilali ka qenë punonjës policie te komisariati nr.2 në kryeqytet dhe pjesë e repartit të FNSH-së, detyra nga të cilat është larguar disa vite më parë.

Lini një Përgjigje