Arrestohet një nga grabitësit e argjendarisë në Kamëz, në kërkim autori i dytë...
Arrestohet një nga autorët e dyshuar të grabitjes së një argjendarie në Kamëz, ngjarje e ndodhur më 16 maj.
Sipas policisë, është ndaluar Elez Hysa, 22 vjeç, banues në Krujë, i dyshuar për përfshirje në këtë ngjarje. Dyshohet se 22-vjeçari, së bashku me një person tjetër, kanë vjedhur nën kërcënimin e armës një sasi bizhuterish nga argjendaria.
Gjatë veprimeve hetimore janë sekuestruar edhe disa sende të kundërligjshme, të cilat do t’i shërbejnë hetimit për dokumentimin e plotë të ngjarjes.
Ndërkohë, vijon puna për identifikimin dhe kapjen e bashkëpunëtorit tjetër të dyshuar në këtë rast.
"Veprime intensive hetimore për identifikimin dhe kapjen e autorëve të vjedhjes me dhunë në një argjendari në Kamëz, më datë 16.05.2026.
Në vijim të hetimeve të thelluara të kryera nga grupi hetimor, për identifikimin dhe kapjen e 2 shtetasve që vodhën nën kërcënimin e armës bizhuteri në një argjendari në Kamëz, kanë bërë ndalimin me iniciativë të shtetasit: -E. H., 22 vjeç, banues në Krujë. Nga hetimet dyshohet se ky shtetas, është i implikuar në vjedhjen argjendarisë në pronësi të shtetasit O. L., ku u morën një sasi bizhuterish.
Gjithashtu, janë sekuestruar disa sende të kundërligjshme, të vlefshme për hetimin. Vijon puna për identifikimin dhe kapjen e bashkëpunëtorit dhe për dokumentimin e plotë të rastit. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprën penale “Vjedhja me dhunë”, kryer në bashkëpunim.", njofton policia.
Grabitja e argjendarisë në Kamëz ka ndodhur më 16 maj, rreth orës 13:00. Kamerat e sigurisë kanë zbuluar itinerarin e lëvizjes së autorëve pas grabitjes. Ata dyshohet se janë larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes në drejtim të Zallherrit, duke udhëtuar me motor dhe të maskuar gjatë gjithë kohës.
Gjatë arratisjes, autorët kanë rrëshqitur dhe janë rrëzuar me motor, por më pas kanë arritur të largohen sërish.
Hetuesit bëjnë me dije se grabitësit mbanin në duar bizhuteritë e marra nga argjendaria, si edhe një armë që dukej si kallashnikov, ndërsa ishin të pajisur me skafandra për të fshehur identitetin.
Pas ngjarjes, policia ka shoqëruar disa persona me precedentë penalë në zonë, për të verifikuar nëse kanë lidhje me grabitjen. Nga këqyrja e vendngjarjes rezulton se janë marrë sende ari dhe argjendi, ndërsa grupi hetimor po analizon provat dhe pamjet filmike të siguruara. Në pyetje është marrë edhe punonjësja e argjendarisë, e cila ka deklaruar se në momentin e grabitjes ndodhej në pjesën e pasme të dyqanit dhe nuk është përballur me autorët.
Lini një Përgjigje