TAGS-AT E JAVËS

Kronike21 Maj 2026, 11:55

SPAK i ka sekuestruar pasurinë, babai i Vis Martinajt: Kam ecur me 800 mijë dollarë në makinë në kohën e bandave

Shkruar nga Pamfleti
SPAK i ka sekuestruar pasurinë, babai i Vis Martinajt: Kam ecur me 800
Mustafa dhe Ervis Martinaj

Në seancën gjyqësore që po zhvillohet për pasuritë e sekuestruara të lidhura me Ervis Martinajn, ka dëshmuar babai i tij, Mustafa Martinaj, i cili foli për aktivitetin financiar të familjes dhe jetën personale të djalit të tij.

Gjatë dëshmisë, ai deklaroi se në periudha të vështira ka qarkulluar me 800 mijë dollarë në makinë gjatë viteve të trazirave, duke theksuar se aktiviteti financiar ka qenë i deklaruar dhe i lidhur me punën që ushtronte në atë kohë. Ai iu referua edhe situatës së vitit 1999, periudhë që sipas tij karakterizohej nga pasiguri dhe prania e bandave kriminale në vend.

Mustafa Martinaj foli gjithashtu për jetën akademike dhe familjare të Ervis Martinajt, duke treguar se ai kishte studiuar ekonomi në Parma të Italisë gjatë viteve 2000–2001 me bursë studimi, por më pas ishte kthyer në Shqipëri për të jetuar pranë familjes.

Sipas tij, Ervisi është angazhuar në aktivitete të ndryshme biznesi, ndërsa familja e ka ndihmuar financiarisht në disa raste, përfshirë blerjen e banesave dhe automjeteve.

Në dëshminë e tij, Mustafa Martinaj përmendi edhe aktivitetin e tij në sektorin financiar privat, duke iu referuar Unionit Financiar të Tiranës, institucion ku, sipas tij, janë kryer transaksione të shumta gjatë asaj periudhe.

Ndërkohë, seanca për sekuestrimin e pasurive të lidhura me Ervis Martinajn vijon, ndërsa gjykata pritet të shqyrtojë provat dhe dëshmitë e paraqitura nga palët.

“Visi fillimisht ishte student në Parma të Italisë, rreth viteve 2000–2001. Ai shkoi me bursë studimi dhe studioi ekonomi për dy vjet në Itali. Vajzat ishin në shkollë në Shqipëri. Kur ato filluan studimet, Visi u transferua që të rrinte me to dhe më pas u vendos në Tiranë. Më vonë ata u martuan. Banesa u mor, nëse nuk gaboj, në fund të vitit 2005. Visi ka qenë mbi mesataren në studime. Dëshironte të vazhdonte shkollën në Itali, por i la përgjysmë studimet dhe erdhi në Tiranë tek motrat. Deri sa ishte në shkollë, ka qenë shumë punëtor dhe i pëlqente pavarësia, në Itali nuk kishte bërë asnjë punë.

Më ka kërkuar ndihmë për të blerë një shtëpi të përbashkët. Kam blerë dy makina, një për dy vajzat dhe një për Visin. Për vajzat kam marrë kredi 12,500 euro, për një makinë të vogël markë japoneze. Nuk kam pasur asnjë shqetësim nga djali. Kisha çelësat, “dora e thatë nuk puthet”. Jemi familje tradicionale malësore. Ai vazhdoi shkollën për ekonomi edhe pasi erdhi në Shqipëri, por nuk i dha provimet, dhe nuk e përfundoi diplomën. Ka hapur një biznes me një shok; emrin nuk e kujtoj, por po ta kërkoj mund ta gjej. Ishte një djalë nga Tirana; riparonin lodra, lodrat që luanin fëmijët me kuaj. Unë, që më sheh këtu, invalid siç isha, kam qarkulluar i vetëm në Tiranë me mbi 800 mijë dollarë cash, karta dhe telefona, në orën 12 të natës, në periudhën më të vështirë të vitit ‘99, kur bandat ishin në rrugë. Kam pasur një makinë 2400 dhe i çoja paratë në bagazh në Rubik e Rrëshen; ishin paratë e aktivitetit tim. UFT ishte institucion privat, Unioni Financiar i Tiranës, aty merrja shumat. Asnjë gërvishtje nuk më ka ndodhur; kam luajtur me kokën time, ndërsa të tjerëve u ndodhin incidente.”, tha babai i Martinajt.

Lini një Përgjigje