
Tre persona ranë në prangat e policisë në Tiranë, të dyshuar për shitje të lëndëve narkotike.
Në pranga ranë Bekim Rrustemaj, 22 vjeç, Redon Nela, 27 vjeç dhe Bledar Kalaja, 49 vjeç. Sipas hetimeve, një pjesë e lëndëve narkotike u gjet në lokalin në pronësi të 49-vjeçarit. Gjatë kontrolleve, policia konstatoi se droga ishte fshehur në struktura muri, pas dere dhe në qese.
Në vijim të veprimeve, autoritetet zbuluan kokainë edhe tek djali 18-vjeçar i Kalasë.
Gjatë operacionit u sekuestruan sasi kokaine dhe kanabisi të ndara në doza, si dhe telefona celularë dhe para të dyshuara si të përfituara nga aktiviteti i paligjshëm.
Efektivët ndaluan në rrugën “Jordan Misja”, dy prej të dyshuarve me doza të gatshme për shitje.
Kontrollet u shtrinë edhe në ambiente të tjera dhe në automjete, ku u gjetën sasi të tjera lëndësh narkotike. Në një prej automjeteve, policia konstatoi edhe një tabelë policie.
"Policia e Shtetit ka finalizuar në Tiranë operacionin e koduar “Different”, në kuadër të goditjes së veprimtarisë kriminale të shpërndarjes së lëndëve narkotike.
Gjatë operacionit, të zhvilluar nga Forca e Posaçme “Shqiponja”, Komisariati i Policisë Nr. 6 dhe Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në DVP Tiranë, u goditën dy raste të shitjes së kokainës dhe kanabisit.
Në rrugën “Jordan Misja” u arrestuan dy shtetas, 22 dhe 27 vjeç, të cilëve iu gjetën sasi lënde narkotike të dyshuara kokainë dhe cannabis, të ndara në doza dhe të dyshuara si të gatshme për shitje.
Në vijim të operacionit u arrestua edhe një 49-vjeçar, ndërsa u proceduan penalisht djali i tij 18-vjeçar dhe një shtetas tjetër. Gjatë kontrolleve në një lokal në pronësi të 49-vjeçarit dhe në automjete, policia sekuestroi sasi të tjera kokaine dhe cannabis sativa.
Gjithashtu, gjatë kontrollit në automjetin e njërit prej të proceduarve u gjet edhe një tabelë policie", njofton policia.
Lini një Përgjigje