
Alarmi për bombë në qendrën tregtare “Toptani” në Tiranë ka rezultuar i rremë.
Pas kontrolleve të kryera nga forcat e rendit dhe strukturat e specializuara, policia njofton se nuk është konstatuar asnjë prani e lëndëve shpërthyese.
Sipas njoftimit zyrtar, rreth orës 20:10 një punonjës i sigurisë në këtë qendër tregtare ka sinjalizuar autoritetet pasi kishte marrë një mesazh kërcënues në email.
“Rreth orës 20:10, shtetasi A. D, ka njoftuar sallën operative të DVP Tiranë se në email e tij ka ardhur një mesazh se në qendrën tregtare ku ai punon si shef security është vendosur një sasi lëndë plasëse, e cila do shpërthejë në orën 20:30”, bëri me dije policia.
Menjëherë pas njoftimit, në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë së Shtetit, forcat xheniere dhe strukturat antiterror, të cilat kanë kryer kontrolle të imtësishme në ambientet e qendrës.
“Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë, Forcat Xheniere dhe shërbimet e Antiterritorit, të cilët kanë kontrolluar qendrën dhe nuk kanë konstatuar asgjë të paligjshme”, thuhet në deklaratë.
Autoritetet bëjnë të ditur se hetimet vijojnë për identifikimin e personit që ka dërguar mesazhin dhe për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
“Grupi hetimor po punon për identifikimin e shtetasit që ka dërguar emailin dhe për sqarimin e rrethanave të rastit”, njofton policia.
Ngjarja shkaktoi alarm dhe ndërhyrje të menjëhershme të strukturave të sigurisë, ndërsa rezultoi pa pasoja për qytetarët.
Lini një Përgjigje