
Rreth 70 efektivë të forcave operacionale dhe të sigurisë kanë ndërmarrë një aksion të gjerë kontrolli në paraburgimin e Vlorës, në kuadër të masave për rritjen e sigurisë në institucionet penitenciare.
Operacioni, i zhvilluar mëngjesin e sotëm, është realizuar në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve dhe strukturat e sigurisë nga disa burgje të tjera në vend. Sipas autoriteteve, ndërhyrja është kryer mbi bazën e një urdhri të posaçëm të muajit prill.
Fokusi i kontrollit ka qenë verifikimi i plotë i funksionimit të regjimit të brendshëm dhe të jashtëm. Në këtë kuadër janë kontrolluar 58 dhoma si dhe ambientet e përbashkëta të institucionit, ndërsa operacioni ka zgjatur mbi një orë e gjysmë.
Nga kontrollet e ushtruara, janë sekuestruar për rikontroll tre televizorë dhe një aparat digjital i pavulosur. Gjithashtu, autoritetet raportojnë se janë gjetur dhe konfiskuar sende të ndaluara të prodhuara në mënyrë artizanale, pa dhënë detaje shtesë mbi natyrën e tyre.
Drejtoria e Burgjeve thekson se këto kontrolle të befasishme do të vijojnë edhe në institucione të tjera, si pjesë e përpjekjeve për të garantuar rendin dhe zbatimin e rregullave brenda sistemit penitenciar.
Lini një Përgjigje