TAGS-AT E JAVËS

Kronike19 Mars 2026, 17:24

Ju zbulua shtëpia e kanabisit, Drejtoria e Burgjeve pezullon Bilal Hasën: Mbështesim hetimet

Shkruar nga Pamfleti
Ju zbulua shtëpia e kanabisit, Drejtoria e Burgjeve pezullon Bilal
Drejtoria e Burgjeve

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka pezulluar nga detyra drejtorin e Burgut Rrogozhinë, Bilal Hasa, pasi ai është shpallur në kërkim nga policia në lidhje me një rast të kultivimit të kanabisit në Peqin.

Ngjarja u zbulua gjatë operacionit policor të koduar “Kurtaj”, ku në fshatin Kurtaj të njësisë administrative Gjocaj u evidentuan dy ambiente të përshtatura për kultivimin e bimëve narkotike në ambiente të mbyllura.

Sipas policisë, në bodrumin e një magazine ishin instaluar pajisje të avancuara, përfshirë llamba, neonë dhe sisteme elektrike, që shërbenin për rritjen e kanabisit. Nga kontrolli u sekuestruan rreth 4 mijë rrënjë kanabisi.

Nga veprimet hetimore rezulton se ambienti është në pronësi të shtetasit me iniciale B. H., i identifikuar si Bilal Hasa, i cili aktualisht është në kërkim. Po ashtu, në kërkim është shpallur edhe përgjegjësi i OSHEE-së për zonën e Peqinit, për veprën penale “shpërdorimi i detyrës”.

Pas publikimit të rastit, Drejtoria e Burgjeve reagoi zyrtarisht duke bërë me dije se është njohur me ngjarjen përmes mediave dhe ka ndërmarrë menjëherë masën e pezullimit të Hasës nga detyra deri në zbardhjen e plotë të rrethanave.

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve është vënë në dijeni nga mediat lidhur me rastin e drejtorit të IEVP Rrogozhinë, Bilal Hasa. Në vijim të informacionit të marrë, Drejtoria e Përgjithshme ka ndërmarrë masa administrative të menjëhershme për pezullimin e tij nga detyra, deri në zbardhjen e plotë të ngjarjes nga organet kompetente. Gjithashtu, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve distancohet nga çdo veprim që bie ndesh me ligjin dhe thekson se mbështet plotësisht hetimin e plotë dhe transparent të rastit”, thuhet në njoftim.

 

burgjet

Lini një Përgjigje