Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar në gjyq një të mitur me inicialet E.G., i akuzuar për veprën penale “Vrasje në rrethana cilësuese”.
Sipas organit të akuzës, në gjyq janë dërguar edhe shtetasit E.G., R.G. dhe F.Ç., të akuzuar për vepra penale që lidhen me pengimin e zbulimit të së vërtetës, moskallëzim krimi dhe përkrahje të autorit.
Ngjarja ndodhi më 14 gusht 2025, rreth orës 17:30, kur në Spitalin Rajonal të Korçës u transportua në gjendje të rëndë 15-vjeçari E.Xh., banues në fshatin Zvirinë. I mituri ndërroi jetë si pasojë e plagëve të marra me thikë në kraharor.
Hetimet zbuluan se konflikti kishte ndodhur në ambientet e jashtme të lokalit “Amar”, në fshatin Pirg, ku viktima ishte përfshirë në një përplasje fizike me autorin e dyshuar, gjithashtu i mitur.
Pamjet e kamerave të sigurisë kanë dokumentuar momentin e konfliktit, ku autori shihet me një thikë në dorë, duke ndjekur viktimën dhe më pas duke e goditur pas një përleshjeje, duke i shkaktuar plagën fatale.
Sipas Prokurorisë, babai i autorit nuk ka bashkëpunuar me organet e drejtësisë, por ka ndërmarrë veprime që kanë penguar zbardhjen e ngjarjes. Nga hetimet rezulton se ai, në bashkëpunim me shtetasit R.G. dhe F.Ç., si dhe me vetë autorin, kanë tentuar të krijojnë një situatë të rreme për të devijuar hetimin.
Gjithashtu, është provuar se arma e krimit, thika e përdorur në ngjarje, nuk është sekuestruar në vendin e krimit, por është marrë dhe më pas është larë nga shtetasi R.G., duke u përpjekur të fshihen gjurmët.
Prokuroria kërkon që i mituri E.G. të gjykohet për “Vrasje në rrethana cilësuese” dhe “Drejtim të automjetit në mënyrë të parregullt”, ndërsa personat e tjerë për veprat penale që lidhen me pengimin e drejtësisë, moskallëzimin e krimit dhe përkrahjen e autorit.
Njoftimi i Prokurorisë:
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, përfundoi hetimet dhe dërgon në gjyq shtetasin e mitur E.G., për veprën penale ‘Vrasje në rrethana cilësuese’ e parashikuar nga neni 79/a/ë i Kodit Penal si dhe shtetasit E.G., R.G. dhe F.Ç, për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtëtës” parashikuar nga nini 301 i Kodit Penal.
Në përfundim të hetimeve mbi procedimin penal nr.1155/2025, rezultoi se, më datë 14.08.2025, rreth orës 17:30, strukturat e Policisë u njoftuan se në Spitalin Rajonal të Korçës ishte transportuar në gjendje të rëndë shëndetësore i mituri E.Xh., 15 vjeç, banues në fshatin Zvirinë. Për shkak të plagëve të marra me mjet prerës (thikë) në zonën e kraharorit, i mituri ndërroi jetë, pavarësisht ndihmës mjekësore.
Nga veprimet e para hetimore u konstatua se ngjarja kishte ndodhur në ambientet e jashtme të lokalit “Amar”, në fshatin Pirg, ku viktima ishte konfliktuar fizikisht me një tjetër të mitur, shtetasin E. G., banues në të njëjtin fshat.
Nga këqyrja e pamjeve filmike të siguruara nga kamerat e sigurisë së lokalit, u konstatua se viktima dhe autori i dyshuar ishin përfshirë në një konflikt fizik. Në video shfaqet qartë se shtetasi E. G. mbante në dorë një thikë, ndjek viktimën mes tavolinave të verandës dhe, pas një përleshjeje dhe rrëzimi në tokë, e godet me mjetin prerës, duke i shkaktuar plagën fatale.
Po kështu, nga hetimet e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Korçë, shtetasi E.G., babai i të miturit të akuzuar, rezultoi se pasi ka marrë dijeni për përfshirjen e djalit të tij në konfliktin e ndodhur në fshatin Pirg, nuk ka mbajtur një qëndrim bashkëpunues me organet e drejtësisë, por përkundrazi ka ndërmarrë veprime konkrete që kanë penguar zbulimin e plotë dhe të menjëhershëm të së vërtetës.
Nga analiza e deklarimeve të dëshmitarëve dhe provave filmike rezulton se shtetasi E.G, në bashkëpunim me shtetasin R.G. (vëllai i tij dhe xhaxhai i viktimës) dhe shtetasi F. Ç., si dhe me vetë autorin, ka ndërmarrë veprime aktive të cilat synonin të krijonin një situatë të re faktike, me qëllim devijimin e vëmendjes nga ngjarja kriminale e ndodhur më parë.
Në të njëjtën kohë, rezultoi e provuar se E.G., ka pasur dijeni edhe për fshehjen dhe manipulimin e provës materiale kryesore të krimit, konkretisht thikës së përdorur nga autori. Nga provat rezulton se kjo thikë nuk është sekuestruar në vendngjarje, por është marrë dhe më pas është larë nga vëllai i tij, shtetasi R.G.,
Për sa më sipër, në mbështetje të nenit 327, pika 6, gërma “b”, si dhe 331 të Kodit të Procedurës
Penale Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Korçë kërkon dërgimin në gjyq të shtetasve:
E.G. për vepran penale ‘Vrasje në rrethana cilësuese’ dhe ‘Drejtim i automjetit në mënyrë të parregullt ’parashikuar nga nenet 79/a/ë dhe 291 të Kodit Penal;
E.G. për veprën penale ‘Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës’ parashikuar nga neni 301 i Kodit penal;
R.G. për veprat penale ‘Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës’, ‘Moskallëzim i krimit’ dhe ‘Përkrahja e autorit në krim’ parashikuar nga nenet 300, 301 dhe 302 të Kodit Penal; dhe
F.Ç. për veprat penale ‘Moskallëzim i krimit’ dhe ‘Përkrahja e autorit në krim’ parashikuar nga nenet 300 dhe 302, pg.2 të Kodit Penal.
Lini një Përgjigje