TAGS-AT E JAVËS

Kronike19 Mars 2026, 11:05

Atentati në Rinas/ Punësoi Muçi Shaljanin, merret i pandehur ish-drejtori i komanduar i AMP-së, Artion Saliasi

Shkruar nga Pamfleti
Atentati në Rinas/ Punësoi Muçi Shaljanin, merret i pandehur
Viktima-Muçi Shaljani

Ish-drejtori i komanduar i AMP-së, Artion Saliasi, është marrë i pandehur për rekrutimin e paligjshëm të Muçi Shaljanit, i cili u vra më 11 nëntor pranë Rinasit bashkë me Gilmando Danin.

Prokuroria e Tiranës, në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore (AMP), ka marrë të pandehur ish-drejtorin e komanduar të këtij institucioni, Artion Saliasi, për veprën penale të shpërdorimit të detyrës.

Hetimet lidhen me rekrutimin e paligjshëm në strukturat e AMP-së të Muçi Shaljanit, i njohur si “Sheqeri”, i cili u vra më 11 nëntor së bashku me Gilmando Danin, pas daljes nga aeroporti i Rinasit.

Ndërkohë, drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve Mbështetëse në AMP, Gëzim Sala, është rikthyer në detyrë. Vendimi u mor nga Gjykata e Apelit, e cila rreth një muaj më parë i hoqi masën e pezullimit. Sala vijon të jetë i pandehur për shpërdorim detyre, pavarësisht rikthimit në funksion.

Si ndodhi atentati?

Gilmando Dani u ekzekutua në një atentat në mes të Rinasit më 11 Nëntor të 2025-ës, si dhe mbeti i plagosur miku i tij Muçi Shaljani. Ky i fundit humbi jetën disa ditë më vonë në spital.

Nga një makinë dolën 3 persona më armë në dorë dhe qëlluan me breshëri automjetin “Mercedez Benz” të bardhë që drejtohej nga Shaljani, i cili në shtator ishte bërë pjesë e AMP-së si agjent, në një procedurë në shkelje të ligjit. Skena ka zgjatur më pak se 4 minuta, referuar pamjeve të publikuara, ndërsa mbi automjetin ku ishin Dani dhe Sheqeri u qëlluan të paktën 80 plumba.

Autorët u larguan nga vendi i ngjarjes vetëm pasi u bindën se shënjestra Gilmando Dani ishte vrarë. Më pas, dogjën makinën në fshatin Halil, bashkë me armët që terrorizuan aeroportin në mes të ditës.

40-vjeçari Muçi Shaljani Sheqeri ishte prej shtatorit punonjës i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, ndërsa prania e tij në një makinë me një prej personazheve më të njohur të botës së krimit, ngre dyshime të forta.

Shaljani ishte bërë pjesë e AMP-së me një kontratë provizore pune për 3 muaj në shtator, periudhë në të cilën institucionin e drejtonte Artiol Saliasi, i komanduar, e cila përfundonte në mes të muajit dhjetor.

Ngjarja e ndodhur më mes të ditës mund të kishte pasur pasoja të tjera edhe për njerëz të pafajshëm, pasi zona ka qenë e mbipopulluar dhe disa nga plumbat goditën edhe fasadën e xhamave të Ark Hotel, që ndodhet pranë rrethrrotullimit ku u krye atentati.

Prej ditës së ngjarjes, asgjë nuk u zbardh për autorët apo porositësit, ndërsa hetimet u përqendruan te larja e hesapeve mes grupeve kriminale.

 

muçi shaljani artion saliasi gilmando dani atentat rinas

Lini një Përgjigje