TAGS-AT E JAVËS

Kronike19 Mars 2026, 17:13

Policia publikon pamjet e operacionit në Peqin, si u zbulua shtëpia e barit e drejtorit të burgut Bilal Hasa (Video)

Shkruar nga Pamfleti
Policia publikon pamjet e operacionit në Peqin, si u zbulua shtëpia e
Pamje nga operacioni

Policia e Shtetit ka publikuar pamjet e operacionit të zhvilluar në Peqin, ku u zbulua një ambient i përshtatur për kultivimin e kanabisit, që dyshohet të jetë në pronësi të drejtorit të Burgut të Rrogozhinës, Bilal Hasa.

Në pamjet e publikuara shihen dy ambiente të veçanta, të pajisura me teknologji moderne, ku kultivimi i bimëve narkotike realizohej me anë të llambave, neonëve dhe pajisjeve të tjera elektrike.

Operacioni policor i koduar “Kurtaj” u zhvillua nga Drejtoria për Krimet në Volum në bashkëpunim me Policinë e Elbasanit dhe Komisariatin e Peqinit, nën drejtimin e Prokurorisë së Elbasanit.

Gjatë kontrollit në fshatin Kurtaj, në njësinë administrative Gjocaj, shërbimet e policisë zbuluan në bodrumin e një magazine dy ambiente të përshtatura për kultivimin e kanabisit, ku u sekuestruan rreth 4 mijë bimë.

Njoftimi i policisë

Në vijim të planit të masave për evidentimin dhe goditjen e kultivimit të bimëve narkotike në ambiente të mbyllura, bazuar edhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, shërbimet e Policisë në kuadër të operacionit policor të koduar "Kurtaj", ushtruan kontroll në fshatin Kurtaj, njësia administrative Gjocaj.

Gjatë kontrollit, në bodrumin e një magazine, u konstatuan 2 ambiente të përshtatura për kultivimin e bimëve narkotike me anë të llambave, ku ishin kultivuar rreth 4000 bimë kanabis.

Nga veprimet hetimore rezultoi se ambienti është në pronësi të shtetasit B. H., i cili u shpall në kërkim.

Në vijim të veprimeve, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, u shpall në kërkim edhe shtetasi E. M., me detyrë përgjegjës i OSHEE-së për zonën e Peqinit.

Shërbimet e Policisë vijojnë punën për kapjen e tyre.

Operacioni, nën drejtimin e Prokurorisë Elbasan, vijon, ndërsa po punohet intensivisht për identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

 

Lini një Përgjigje