
Zamir Kalemi, personi të cilit iu bë një atentat me 16 plumba mbrëmjen e 12 janarit në zonën e Selitës ka dhënë dëshminë e tij për policinë në lidhje me ngjarje.
35-vjeçari u pyet paraprakisht nga Policia e Tiranës lidhur me dinamikën e ngjarjes por edhe dyshimet që ai mund të kishte mbi agresorët.
Kalemi nuk ka përmendur emra konkret, por ka dhënë indicie me vlerë për policinë që të shkojë drejt identifikimit të autorëve. I plagosuri ka rrëfyer me detaje zonat ku ka lëvizur ditët e fundit, oraret dhe personat me të cilët është takuar.
Nisur nga kjo shërbimet e departamentit të krimeve pranë DVP Tiranë, kanë nisur kontrollin në terren dhe sekuestrimin e pamjeve filmike në zonat ku ka lëvizur i riu.
Në këtë mënyrë, blutë kërkojnë konstatimin e automjetit të përdorur në ngjarje, ndjekjen e lëvizjeve të tij apo personave të tjerë që mund të kenë qenë në rolin ndihmës, qoftë për sigurimin e informacioneve por edhe për dhënien e ndihmës për tu larguar nga vendi i ngjarjes pas krimit.
Zamir Kalemi i shpëtoi mrekullisht një atentati mbrëmjen e së premtes në Tiranë, edhe pse ndaj tij u derdh breshëri kallashnikovi nga një makinë në ecje, teksa ai udhëtonte me “Smart”.
Kalemi është kushëriri i Aleksandër Sadikajt të ekzekutuar në 2022 në Tiranë, vrasje që ka pasur me eliminim e biznesmenit sarandiot, Edmond Papa.
Saga e vrasjeve:
Plumbat e mbrëmjes së 12 janarit 2024 ndaj vëllait të Andrea Kalemit, Zamirit,- i cili po mjekohet në spitalin e Traumës - dyshohet se kanë lidhje me sagën e vrasjeve të 2022.
11 qershor 2022 - Aleksandër Sadikaj vritet në një shpërthim me telekomandë. 27 vjeçari ishte kushëriri i Kalemëve. Sadikaj po lëvizte me makinë në aksin e njohur si Sauk-TEG. Autorët dyshohet se kishin vënë një sasi të konsiderueshme prej 150 gramësh tritol të komanduar me telekomandë, në pjesën e përparme të makinës e cila është aktivizuar gjatë lëvizjes.
16 dhjetor 2022 - Gjashtë muaj më pas vritet në Tiranë biznesmeni sarandiot Edmond Papa. Vrasja ishte hakmarrje për vrasjen e Sadikajt. Për ekzekutimin e tij i arrestuar është shoku i Andrea Kalemit, Albano Velo, ndërsa në kërkim është shoku tjetër Andrew Bode. Në dosjen hetimore përmendet edhe emri i Kalemit.Më 9 gusht 2023 Andrea Kalemi i shpëton atentatit në ishullin Pax të Greqisë, teksa kishte shkuar me pushime me 3 fëmijët dhe gruan e tij.
Më 14 dhjetor 2023 Andrea Kalemi plagoset me thikë në burgun “Koridhalos” në Greqi. Autori sipas mediave grekte kishte qenë një 28-vjeçar egjiptian
Lini një Përgjigje