Prokuroria e Fierit ka dërguar për gjykim Albi Mecinin dhe dy bashkëpuntorët e tij, pasi u kapën me 21 kg eksploziv.
Prokuroria e Fierit ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar për gjykim dosjen për Albi Mecinin dhe dy shokët e tij Ervis Cukali e Arafat Manërkolli, që dyshohet se do të transportonin një sasi prej 21 kg eksploziv në vitin 2023. Mecini njihet ndryshe edhe si ushtari i Admir Tafilit.
Ai u arrestua më 30 gusht 2023 me 2 çanta me rreth 21 kg eksploziv, të montuara me celularë për shpërthim në distancë. Te dyja çantat u gjetën në afërsi të automjetit të Mecinit. Ndaj tyre është ngritur akuza për “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake e municionit” e kryer në bashkëpunim dhe në sasi të mëdha.
Tre të rinjtë u vendosën në pranga pasi akuzohen se kanë poseduar dhe transportuar sasinë prej 21 kilogram e 265 gram eksploziv në qytetin e Fierit.
Albi Mecini u kap në flagrancë në fshatin Vajkan, ku kishte lënë mjetin e tij pranë lëndës eksplozive, në një rrugë dytësore, për tek vendi i quajtur “Safari”. Ndërkohë që bashkëpunëtorët e tjerë ishin duke u afruar pranë tij me një mjet tjetër pa targa, i trafikuar dhe me shasi të falsifikuar, brenda të cilës u sekuestruan 3 bidona me lëndë djegëse benzinë.
Sipas Prokurorisë, të pandehurit, të cilët janë të dënuar më parë, dyshohet se janë përfshirë në ngjarje të rënda.
Njoftimi i Prokurorisë:
Transportonin 21 kg lëndë eksplozive, Prokuroria Fier dërgon për gjykim tre shtetasit A.M, E.C dhe A.M
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, përfundoi hetimet dhe dërgoi në gjyq tre shtetasit A.M., E.C., dhe A.M. për ‘Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake e municionit’ e kryer në bashkëpunim dhe në sasi të mëdha, parashikuar nga neni 278/6 i Kodit Penal.
Në kuadër të hetimeve të procedimit penal nr.1070, i kryer në bashkëpunim me policinë gjyqësore, rezultoi se shtetasi A.M u kap nga policia gjyqësore në flagrancë në fshatin Vajkan, të qarkut Fier, ku kishte lënë mjetin e tij pranë lëndës eksplozive, në një rrugë dytësore pranë rrethrrotullimit përballë qëndrës “Viva” në rrugën për tek vendi i quajtur “Safari”. Ndërkohë që bashkëpunëtorët e tjerë ishin duke u afruar pranë tij me një mjet tjetër pa targa, i trafikuar dhe me shasi të falsifikuar, brenda të cilës u sekuestruan 3 bidona me lëndë djegëse benzinë.
Nga hetimet rezultoi se të tre të pandehurit në bashkëpunim me njëri-tjetërin, më datë 28.09.2023 kanë poseduar dhe trasportuar lëndën eksplozive prej 21 kilogram e 265 gram në qytetin e Fierit. Të pandehurit, janë të dënuar më parë dhe dyshohet se janë përfshirë në ngjarje të rënda.
Pas kryerjes së veprime të plota, organi i akuzës ka arritur të provojë se të pandehurit kanë konsumuar plotësisht veprat penale për të cilën akuzohet dhe për këtë shkak ka përpiluar kërkesën për dërgimin e çështjes në gjyq.
Në vijim, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, shpreh angazhimin e plotë dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të personave që kryejnë vepra penale kundër rendit dhe sigurisë publike.
Kush është Albi Mecini?
Albi Mecini nga Kamza u kap me dy çanta brenda të cilave kishte eksploziv të montuara me celular për shpërthim në distancë. Mecini dyshohet se do të vriste në Fier një emër të njohur të botës së krimit të këtij qyteti. 29 vjeçari rezulton me precedent të theksuar kriminal edhe jashtë shtetit, në Angli dhe Francë, për trafikim droge dhe ngjarje kriminale.
Albi Mecini njihet dhe si miku i ngushtë i Admir Tafilit dhe është akuzuar nga Prokuroria e Korçës si bashkëpunëtor për arratisjen e Tafilit dhe 6 personave të tjerë nga burgu i Drenovës mbrëmjen e 23 Nëntorit 2013.
Rrëmbimi i Sulovarit dhe Thodhorit
Hetuesit kanë ngritur dyshime të arsyeshme bazuar në prova shkencore, se i arrestuari në flagrancë me çanta me tritol, Albi Mecini, është autor i dyshuar i zhdukjes së dy miqve Sulovari dhe Thodhori në Sarandë.
Pak javë pas zhdukjeve në qytetin bregdetar, policia zbuloi tre automjete në një vilë që autorët e dyshuar kishin marrë me qira. Në njërën prej tyre janë përftuar profile ADN-je të Albi Mecinit.
Vilën e kishin gjetur me qira 500 euro. Përmes një agjenti imobiliar, Sofokli Baxheri 28 vjeç, i cili u arrestua dhe u la i lirë në fund të këtij korriku. Në pamjet ekskluzive të vilës, banorët e rinj të saj, autorë të dyshuar të rrëmbimit, kishin vendosur një rrjetë para portës që askush mos të shihte se çfarë ndodhte brenda.
Sipas dëshmive, nga ajo banesë hynin e dilnin mjete të ndryshme si fuoristradë “Mercedes-Benz” G Class ngjyrë e zezë, furgon tip “Ford” ngjyrë e bardhë, fuoristradë “Peugeot” ngjyrë e kuqe si dhe autovetura “Mercedes-Benz”.
Lini një Përgjigje