Katër ditë pas denoncimit të zhdukjes, autoritetet nuk kanë gjetur ende asnjë gjurmë të 65-vjeçarit Ylli Dine nga Mezhgorani i Tepelenës. Kërkimet po përqendrohen në lumin Vjosë.
Që prej ditës së djeshme, palombarët e RENEA-s, së bashku me shërbimet e Policisë, po zhvillojnë kontrolle në shtratin e Vjosës, në zonën pranë vendit të quajtur “Fusha e fshatit Peshtan”. Policia dyshon se 65-vjeçari është rrëzuar dhe më pas është marrë nga rrjedha e lumit.
Në operacionin e kërkim-shpëtimit marrin pjesë Forca e Posaçme “Shqiponja” e Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër, shërbimet e Komisariatit të Policisë Tepelenë, Shërbimi i Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi, përfaqësues të Forcave të Armatosura, si dhe familjarë e vullnetarë. Grupet po kontrollojnë brigjet e lumit në të dyja anët, pa arritur ende në ndonjë rezultat.
Sipas të dhënave zyrtare, intensiteti i operacionit mbetet i pandryshuar. Dyshimet për përfundimin e 65-vjeçarit në ujë janë shtuar pasi në breg të lumit janë gjetur kërraba dhe velenxa që dyshohet se i përkisnin atij.
Kërkimet përgjatë lumit Vjosë vijojnë, ndërsa autoritetet mbeten të angazhuara për gjetjen e 65-vjeçarit të zhdukur në Mezhgoran.
Lini një Përgjigje