TAGS-AT E JAVËS

Kronike 5 Shkurt 2026, 14:11

Nga plagosja te atentati, Hoxhaj rrëfen në GJKKO përplasjen me Ismet Boriçin

Shkruar nga Pamfleti
Nga plagosja te atentati, Hoxhaj rrëfen në GJKKO përplasjen me
Henrik Hoxhaj

Henrik Hoxhaj ka dëshmuar në GJKKO lidhur me konfliktin e gjatë me Ismet Boriçin, një përplasje që, sipas tij, nisi në fund të viteve ’90 dhe përfundoi në tentativa të armatosura për hakmarrje.

Hoxhaj tha para trupës gjykuese se zanafillat e konfliktit lidhen me Viron Kallanxhiun, shokun e tij të fëmijërisë, i cili kishte pasur probleme të hershme me vëllezërit Boriçi. Ai shpjegoi se kjo histori ndikoi drejtpërdrejt në përkeqësimin e marrëdhënieve me Ismet Boriçin.

Hoxhaj rrëfeu se në vitin 2004 u plagos me tre plumba dhe dyshon se autor i ngjarjes ishte Ismet Boriçi.

“U krijua një situatë pa lidhje, ‘pse më sheh’. Ai nxori armën, unë ia kapa te tyta, por më qëlloi. Ika me vrap dhe më morën”, deklaroi ai.

Pas këtij episodi, sipas Hoxhajt, vendimi për hakmarrje ishte i qartë. Para gjykatës, ai e pranoi hapur qëllimin e tij. “Doja ta mbaroja punë me të, ta vrisja”, u shpreh gjatë dëshmisë.

Ai tregoi se në vitin 2018, së bashku me një person të identifikuar si Skerdi, organizuan një atentat ndaj Ismet Boriçit. Për realizimin e planit, Hoxhaj deklaroi se kishin siguruar një automjet Renault të vjedhur, armë zjarri, përfshirë një pistoletë Glock dhe një armë automatike, si edhe targa greke për të shmangur identifikimin.

Sipas tij, gjatë ditës ata patrulluan disa herë pranë pronës së Boriçit për ta vëzhguar. Në momentin e sulmit, Skerdi qëlloi nga sedilja e pasagjerit, por arma iu bllokua, ndërsa vetë Hoxhaj qëlloi nga timoni me pistoletë. Për shkak të xhamave të zinj të makinës, plumbat nuk depërtuan dhe vëllezërit Boriçi pësuan vetëm gërvishtje të lehta.

“Ata na pikasën për shkak të xhamave të zinj dhe targave të huaja”, deklaroi Hoxhaj, duke shtuar se pas të shtënave objektivat u futën fillimisht në lokal dhe më pas në banesë, ndërsa ai dhe bashkëpunëtori i tij nuk dolën nga automjeti.

Në vijim, Hoxhaj theksoi se Viron Kallanxhiu nuk kishte dijeni për planin e atentatit dhe se ai nuk kishte komunikuar me të për këtë ngjarje. Ai shtoi gjithashtu se disa persona të përmendur në proces, përfshirë Renato Çamin, i njeh vetëm si emra dhe jo personalisht.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të prokurorit Behar Dibra, Hoxhaj përshkroi edhe vendndodhjen e atentatit, pranë një lokali në zonën e gjimnazit të ri, ku ndodhet edhe banesa e familjes Boriçi.

Lini një Përgjigje