Henrik Hoxhaj ka dëshmuar ditën e sotme në GJKKO, ku ka deklaruar se ka marrë një ofertë për të ekzekutuar Sokol Sanxhaktarin, por ka pohuar se nuk ka qenë i interesuar dhe nuk është përfshirë në planifikimin e atentatit.
Gjatë dëshmisë, Hoxhaj tha se oferta i është bërë nga Nuredin Dumani, i cili i ka përmendur shumën prej 200 mijë eurosh për vrasjen e Sanxhaktarit. Sipas tij, bëhej fjalë për një “punë tjetër” që nuk u çua më tej dhe nuk u finalizua.
“Ndërsa po përgatitesha për vrasjen e vëllezërve Haxhia, diskutuam me Nuredin Dumanin për një punë tjetër. Ai fliste në telefon gjithë kohën. Kishte ditëlindjen atë ditë. Nuk e di me kë. Më tha për Sokol Sanxhaktarin”, deklaroi Hoxhaj.
I pyetur nga prokurori se kush ishte i interesuar për goditjen e Sokol Sanxhaktarit, Hoxhaj u shpreh se nuk i është bërë e ditur identiteti i porositësit.
“Unë kam marrë një ofertë, tha Nuredin Dumani, për Sokol Sanxhaktarin. Më tha se do bënim takim. Jepeshin 200 mijë euro. Më pyeti nëse isha i interesuar. Por mbeti këtu, nuk u bë më shumë muhabet. Nuk më tha kush ishte investitori”, deklaroi ai.
Hoxhaj theksoi se emri i Suel Çelës nuk i është përmendur asnjëherë dhe se nga Dumani ka dëgjuar vetëm se Sanxhaktari ishte dhëndri i kryetarit të Bashkisë së Elbasanit. “Nuk më tha pse, o prokuror. Nuk mbaj mend të jetë përmendur më”, shtoi ai.
Në vijim, i pyetur nëse Nuredin Dumani i kishte folur për Bledar Muçën, Hoxhaj u përgjigj negativisht. “Jo. Nuk kam qenë i interesuar. Nuk u morëm më me Sokolin, se u morëm me atë çfarë ishim aty”, tha ai.
Hoxhaj deklaroi gjithashtu se nuk ka dijeni nëse ka komunikuar me Dumanin ditën e arrestimit të Sanxhaktarit, duke theksuar se kjo çështje nuk e kishte interesuar. Ndërkohë, ai konfirmoi një mesazh të dërguar nga Dumani më 30 korrik 2020, ditën kur Sokol Sanxhaktari vrau Florian Lamçen.
“Nuredini më ka shkruar: ‘Na humbën 200 mijë euro’. Po, se nuk u mbarua puna, pra”, deklaroi Hoxhaj para trupës gjykuese.
Lini një Përgjigje