TAGS-AT E JAVËS

Kronike 5 Shkurt 2026, 13:35

Sherr në Sarandë! Lezhjani bën për spital 48-vjeçarin dhe arrestohet nga policia, i plagosuri rrezikon të humbasë syrin

Shkruar nga Pamfleti

Sherr në Sarandë! Lezhjani bën për spital 48-vjeçarin

Një sherr për motive të dobëta ka përfunduar me plagosje të rëndë pasditen e djeshme më 4 shkurt, në qytetin e Sarandës.

Sipas informacionit paraprak, 45-vjeçari Gëzim Preçi, i lindur në Tiranë dhe me banim në Lezhë, pas një konflikti të çastit, dyshohet se ka goditur me grushte dhe sende të forta 48-vjeçarin Gentjan Mustafa, banor i Shelegarit.

Burime nga vendngjarja bëjnë me dije se sulmi ka ndodhur pa ndonjë motiv të qartë.

Të pranishmit kanë transportuar menjëherë të plagosurin në urgjencën e spitalit të Sarandës. Sipas mjekëve, gjendja e 48-vjeçarit ka qenë e rëndë, pasi goditja poshtë syrit i ka shkaktuar thyerje të kockës, si edhe hemorragji në sy.

Pas dhënies së ndihmës së parë, Gentjan Mustafa është nisur me ambulancë drejt Spitalit të Traumës në Tiranë për trajtim të specializuar.

Ndërkohë, shërbimet e Policisë kanë shkuar në vendngjarje dhe kanë arrestuar 45-vjeçarin Gëzim Preçi, i cili do të hetohet për veprën penale “plagosja e rëndë me dashje”.

Burime policore bëjnë me dije se Preçi kishte rreth një javë që ndodhej në Sarandë dhe se më herët kishte pasur përplasje verbale edhe me qytetarë të tjerë, por pa përdorimin e sendeve të forta.

Gjithashtu, mësohet se 45-vjeçari ka shfaqur shqetësime të shëndetit mendor. Për këtë arsye, pavarësisht arrestimit, ai pritet të dërgohet në Spitalin Psikiatrik të Lezhës për shtrim të detyruar, në pritje të ekspertimit mjekësor.

Lini një Përgjigje