
Gjykata e Lartë ka lënë në fuqi vendimin e Apelit të GJKKO për dënimin me burg përjetë për Florenc Çapjan dhe xhaxhanë e tij, Ardian Çapja, i konsideruar si kreu i grupit kriminal të njohur të Çapjave të Elbasanit. Ata janë shpallur fajtor për vrasjen e dyfishtë të Nezir dhe Gentian Beqirit, babë e bir, ngjarje e ndodhur në vitin 2012.
Vendimi u mor nga trupa gjykuese e përbërë nga Sandër Simoni, Sokol Binaj dhe Enton Dhimitri, të cilët rrëzuan rekursin e paraqitur nga Ardian Çapja, Florenc Çapja, Etjen Cani, Klajdi Dokoli dhe Ervis Bardhi, duke lënë në fuqi vendimin e Apelit të Posaçëm të datës 15 nëntor 2023.
Sipas këtij vendimi, Klajdi Dokoli dhe Etjen Cani janë dënuar me nga 25 vite heqje lirie, ndërsa Ervis Bardhi me 15 vite burg.
Çështja lidhet me vendimin e dhënë më herët nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, e cila më 19 prill 2023 shpalli fajtor Ardian Çapjan për vrasjen e dyfishtë të ndodhur në vitin 2012 dhe për krijim e pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal, duke e dënuar atë me burgim të përjetshëm. Me të njëjtën masë dënimi u dënuan edhe Florenc Çapja dhe Jorgo Leku (alias Olsi Leka).
Në të njëjtin proces, Klajdi Dokoli dhe Etjen Cani u dënuan me nga 25 vite burg, ndërsa Ervis Bardhi me 15 vite heqje lirie. Të pandehurit u shpallën fajtorë për vrasjen e Nezir dhe Gentian Beqirit, e ndodhur mëngjesin e 15 gushtit 2012 në qytetin e Elbasanit, brenda banesës së viktimave.
Ardian Çapja dhe anëtarë të familjes së tij janë përfshirë në një sërë ngjarjesh të rënda kriminale të ndodhura në Elbasan gjatë 16 viteve të fundit, përfshirë atentate të shumta. Në qershor të vitit 2021, Prokuroria e Posaçme ngriti zyrtarisht akuza ndaj këtij grupi për vrasje në rrethana të tjera cilësuese, prodhim dhe mbajtje të armëve luftarake, si dhe krijim dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal.
Me vendimin e Gjykatës së Lartë, dënimet e dhëna nga shkallët më të ulëta të gjyqësorit bëhen përfundimtare.
Lini një Përgjigje