TAGS-AT E JAVËS

Kronike12 Prill 2026, 09:24

I gjenden 10 doza kokaine në mbajtësen e kufjeve, arrestohet 17-vjeçari në Vlorë; nën hetim një i mitur

Shkruar nga Pamfleti
I gjenden 10 doza kokaine në mbajtësen e kufjeve, arrestohet
Kokaina e sekuestruar

Dy të mitur, të moshave 16 dhe 17 vjeç, janë ndaluar nga policia e Vlorës pasi u kapën në posedim të lëndëve narkotike.

Ngjarja ka ndodhur në lagjen “Pavarësia”, ku gjatë kontrollit fizik ndaj tyre, 17-vjeçarit iu gjetën 10 doza kokainë të fshehura në çantë dhe në mbajtësen e kufjeve, si dhe një sasi kanabisi në xhep.

Si rezultat, 17-vjeçari është vënë në pranga, ndërsa 16-vjeçari po hetohet në gjendje të lirë.

"Shpërndanin kokainë dhe kanabis te adoleshentët, vihet në pranga një 17-vjeçar dhe procedohet në gjendje të lirë një 16-vjeçar. Sekuestrohen në cilësinë e provës materiale 10 doza kokainë dhe një sasi kanabisi.

Në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, bazuar edhe në informacionet e siguruara për dy adoleshentë që mund të shpërndanin lëndë narkotike, kanë ushtruar kontrolle në akset kryesore dhe në disa zona të qytetit.

Si rezultat i këtyre kontrolleve, mbrëmjen e djeshme, në lagjen “Pavarësia”, në Vlorë, u ndaluan dhe u kontrolluan fizikisht dy adoleshentë që ishin të dyshuar si shpërndarës të lëndëve narkotike.

Gjatë kontrollit ndaj shtetasit 17-vjeçar, në çantën e tij (marsup) dhe në mbajtësen e kufjeve, u gjetën 10 doza të mbështjella me qese plastike, të dyshuara si lëndë narkotike e llojit kokainë, ndërsa në xhep iu gjet një sasi e dyshuar lënde narkotike e llojit kanabis, e mbështjellë me letër alumini.

Në përfundim të veprimeve procedurale, specialistët për Hetimin e Narkotikëve në DVP Vlorë arrestuan në flagrancë 17-vjeçarin D. M., si dhe proceduan në gjendje të lirë 16-vjeçarin. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë Vlorë për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.", njofton policia.

Lini një Përgjigje