Policia ka arrestuar Eduart Afmatajn brenda 24 orëve nga vrasja e Artur Çangut në Nikël. Ai u kap në Qafë Shtamë, i fshehur në një banesë të braktisur.
Arratia e vrasësit që tronditi dje Niklën e Fushë-Krujës ka zgjatur më pak se 24 orë. Pasditen e sotme është arrestuar Eduart Afmataj, autori që ekzekutoi Artur Çangun. Afmataj është arrestuar në zonën e Qafë Shtamës në Malësinë e Krujës, në një banesë të vjetër të braktisur.
"Finalizohet operacioni policor i koduar “Fast”. Kapet dhe vihet në pranga 33-vjeçari që dyshohet se vrau me armë 48-vjeçarin, dje, gjatë një konflikti për motive të dobëta. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë, pas një ndjekje të vazhdueshme, të pandërprerë dhe kontrolleve intensive me qëllim kapjen e autorit të dyshuar të vrasjes së 48-vjeçarit, ngjarje e ndodhur ditën e djeshme në fshatin Verjon, Krujë, kanë kapur në vendin e quajtur “Bruz-Mal” dhe kanë vënë në pranga shtetasin E. A., 33 vjeç, banues në Verjon. Ky shtetas dyshohet se, ditën e djeshme, ka vrarë me armë shtetasin A. Ç., 48 vjeç, për motive të dobëta, dhe pas kryerjes së krimit u largua nga vendi i ngjarjes. Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë, për veprime të mëtejshme."-njofton policia.
Ditën e sotme u raportua se mes viktimës dhe autorit kishte prej rreth dy vitesh konflikte të vazhdueshme për çështje pronësie. Ngjarja ka arritur kulmin në momentin kur Çangu kishte shkuar pranë banesës së prindërve të tij dhe kishte parkuar automjetin.
Ky veprim ka sjellë reagimin e menjëhershëm të Afmatajt, i cili ka kundërshtuar parkimin, duke pretenduar se i bllokohej rruga. Debati verbal është përshkallëzuar në konflikt fizik.
Në vijim, autori i dyshuar ka marrë një armë gjahu tip “çifte” dhe ka qëlluar për vdekje 49-vjeçarin. Pas krimit, ai ka njoftuar policinë dhe më pas është larguar nga vendngjarja, duke humbur gjurmët. 33-vjeçari Eduart Afmataj, ishte dhëndër në fisin e viktimës Çangu.
Mbrëmjen e djeshme në sallën operative të Komisariatit të Policisë Krujë ka mbërritur një telefonatë ku Eduart Afmataj ka deklaruar se disa persona të armatosur me çifte kanë qëlluar në drejtim të Çangut.
Mënjëherë, efektivët janë nisur drejt vendngjarjes dhe kanë lokalizuar trupin e pajetë të Çangut në fshatin Kurçaj. Viktima është gjetur i kthyer përmbys dhe me goditje plumbash në trup.
Lini një Përgjigje