
Sipas të dhënave të siguruara nga policia, ndaj tyre rëndojnë disa akuza të rënda, përfshirë pjesëmarrjen në grup të strukturuar kriminal, trafikimin e lëndëve narkotike, shfrytëzimin për qëllime prostitucioni dhe vjedhje.
Policia e Shtetit ka vënë në pranga 2 persona të shpallur në kërkim nga Italia për vepra të rënda penale. Është arrestuar 34 vjeçari Klodian Llomi (Mazari), i dënuar nga Gjykata e Romës me 6 vjet e 7 muaj burg dhe 40 vjeçari Roland Ibrahimi alias Ali Meci ndaj të cilit Gjykata e Torinos ka vendosur 4 vjet e 3 muaj burg.
Sipas të dhënave të siguruara nga policia, ndaj tyre rëndojnë disa akuza të rënda, përfshirë pjesëmarrjen në grup të strukturuar kriminal, trafikimin e lëndëve narkotike, shfrytëzimin për qëllime prostitucioni dhe vjedhje.
Operacioni është finalizuar në bashkëpunim me Interpol Tiranën dhe autoritetet ligjzbatuese italiane, si pjesë e luftës kundër krimit të organizuar ndërkombëtar dhe kapjes së personave që i shpëtojnë drejtësisë në vendet e BE-së.
Të arrestuarit do të ekstradohen drejt Italisë, ku do të përballen me drejtësinë për veprat penale për të cilat akuzohen.
"Vijon operacioni policor i koduar “Operacionalja”, i shtrirë në disa qytete të vendit, për kapjen e personave në kërkim ndërkombëtar.
Operacioni nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale.
Kapen në Fushë-Krujë dhe Dibër, dy persona me rrezikshmëri shoqërore, të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Italia, për pjesëmarrje në organizatë kriminale, trafikim të lëndëve narkotike, shfrytëzim prostitucioni dhe vjedhje të rëndë.
Në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme të zhvilluara nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, brenda 12 orëve të fundit janë finalizuar edhe dy faza të tjera të operacionit policor të koduar “Operacionalja”, konkretisht:
1 - Operacionalja 39, në kuadër të të cilit forcat operacionale bënë të mundur lokalizimin, kapjen dhe arrestimin, me qëllim ekstradimi drejt Italisë, të shtetasit Klodian Llomi (Mazari), 34 vjeç, banues në Maqellarë, Dibër. Gjykata e Apelit Romë/Itali, në vitin 2023, e ka dënuar këtë shtetas me 6 vjet, 7 muaj e 2 ditë burg, për veprat penale “Organizatë kriminale”, “Trafikim i lëndëve narkotike” dhe “Shfrytëzim prostitucioni”, të parashikuara nga Kodi Penal Italian.
2 - Ndërsa në kuadër të fazës Operacionalja 40, shërbimet e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale bënë të mundur lokalizimin, kapjen dhe arrestimin, me qëllim ekstradimi drejt Italisë, të shtetasit Roland Ibrahimi, alias Ali Meci, 40 vjeç, banues në Laç. Gjykata e Torinos/Itali, në vitin 2024, e ka dënuar këtë shtetas me 4 vjet e 3 muaj burg, për veprat penale “Organizatë kriminale”, “Grup kriminal”, dhe “Vjedhje e rëndë”, të parashikuara nga Kodi Penal Italian.
Operacioni vijon për kapjen e personave të tjerë të shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe kombëtar", njofton policia.
Lini një Përgjigje