
Në rrjetet sociale janë ngritur shumë dyshime mbi motorin që dyshohet se u përdor për të vrarë Ardian Nikulajn. Policia nxori dje imazhet e motorit që ishte fshehur në Kakarriq, ndërkohë në “Tik-Tok”, janë bërë krahasime mes tij dhe motorit që del në kamerat e sigurisë.
Në pamje të parë ngrihen dyshime sikur motori nuk është i njëjti, por një model më i vogël.
Ajo që dallon më shumë është marmita, pasi te motori që shfaqet te kamerat sigurisë është e ngritur, ndërsa te fotoja e policisë është e shtrirë. Po ashtu targat janë ndryshe dhe pjesa e sipërme ku ulen pasagjerët, duket se te motori që ka treguar policia është shumën më e madhe se te ajo e motorit te kamerat e sigurisë. Dyshime ka dhe për madhësinë e gomave dhe fenerin e pasëm.
Por eksperti kriminalistik, Artan Rexhepi tha në një intervistë për Euronews Albania se është e tepërt të thuash vetëm duke parë fotot, që motori i parë i vrasësit të Nikulajt, është njësoj me atë që u gjet në thellësinë e një përroi në zonën e Kakarriqit dhe që policia e konfirmoi si mjetin që përdori portugezi.
“Kemi të bëjmë me një motor të vogël në dukje, por me parametra të mjaftueshëm për të realizuar objektivin, pastaj është i njëjti ose jo, i takon grupit hetimor. Nëse na bëjnë pjesë të grupit mund ta themi pa problem, po jo me një pamje të thjeshtë në foto”, u shpreh Rexhepi.
Lini një Përgjigje