
Gjykata e Posaçme i ka komunikuar masën e sigurisë “arrest me burg”, 44-vjeçarit Jorgo Leku.
Leku është dënuar me burg përjetë në mungesë nga e njëjta gjykatë pasi akuzohet për vrajsen e babë e bir në Elbasan, Nezir dhe Gentjan Beqiri.
44-vjeçari u ekstradua dy ditë më parë nga Greqia. Ai është i njohur edhe me emrin Olsi Leka dhe Giorgio Lekou është dënuar në mungesë në prill të këtij viti, bashkë me Ardjan Çapjan dhe Florenc Çapjan.
Fillimisht, dosja e vrasjes së babë e bir po hetohej nga Prokuroria e Elbasanit, por më pas kaloi në SPAK, pasi të akuzuarit kanë vepruar si grup i strukturuar kriminal. Pasi Gjykata e Shkallës së Parë dha vendimin, çështja është ankimuar në Apel.
Po për këtë dosje, Gjykata e Posaçme dënoi me 15 vite heqje lirie bashkëpunëtorin e drejtësisë Ervis Bardhin që mori edhe pjesë në krimin e ndodhur 11 vite më parë. Nga 25 vite burgim u dha për Klaidi Dokoli dhe Etien Çani.
Kujtojmë se Jorgo Leku u arrestua në Greqi më 12 qershor 2020 pasi gjykata e Elbasanit vendosi masën e arrestit në mungesë për 5 vepra penale për vrasje, përfshirë edhe atë të grupit të strukturuar kriminal. Gjykata e Posaçme përveç Jorgo Lekut si ekzekutor, dënoi me burg përjetë edhe Ardjan Çapjan dhe Florenc Çapjan në rolin e porositësve.
Florenc Çapja është i vetmi person i pa arrestuar dhe me dënim në mungesë, pasi prej vitesh rezulton në Dubai, një vend që nuk ka marrëveshje ekstradimi me Shqipërinë, duke e bërë të vështirë sjelljen e tij. 44-vjeçari Leku nuk veproi i vetëm si ekzekutor në atë kohë. Bashkë me të ishte Ervis Bardhi, i cili u bë bashkëpunëtorë i drejtësisë dhe për këtë arsye GJKKO e dënoi me vetëm 15 vite burg, ndërsa Klaidi Dokoli dhe Etien Çani u dënuan me nga 25 vite burg.
Nezir dhe Gentjan Beqiri u vranë brenda banesës së tyre në Elbasan ku Gentiani ishte në “arrest shtëpie” i paralizuar dhe ruhej nga dy policë në derë të shtëpisë, për akuzën e vrasjes së Sokol Çapjas në vitin 2005. Teksa hynë në banesë pasi bindën policët se ishin miq të familjes, autorët qëlluan Gentian Beqirin me 7 plumba pistolete me silenciator, duke e lënë të vdekur në vend. Më pas vrasësit Jorgo Leku dhe Ervis Bardhi i mbytën edhe babanë dhe u larguan duke lënë në derë të shtëpisë dy policët, që më vonë u akuzuan për shpërdorim detyre. Krimi i dyfishtë ishte pjesë e një seriali të gjatë vrasjesh e konfliktesh në Elbasan.
Lini një Përgjigje