TAGS-AT E JAVËS

Kronike30 Dhjetor 2025, 11:30

Dosja "Plumbi i Artë", shtyhet më 15 janar seanca gjyqësore ndaj të pandehurve

Shkruar nga Pamfleti

Dosja "Plumbi i Artë", shtyhet më 15 janar seanca

Gjykata e Posaçme ka shtyrë për më 15 janar seancën gjyqësore ndaj të pandehurve të dosjes "Plumbi i artë".

Mësohet se shkak i shtyrjes u bë mungesa e avokatëve të dy prej të penduarve në proces. Ky shqyrtim gjyqësor ndodhet në fazën e pyetjes së dëshmitarëve të kërkuar nga SPAK.

Kujtojmë se, në seancën e kaluar datë 18 dhjetor 2025, në Gjykatën e Posaçme dëshmoi pronari i një shkolle private në Tiranë, Lulzim Masha. Ai rrëfeu me detaje momentet e tmerrit kur i shpëtoi atentatit të armatosur në Tiranë.

Në dëshminë e tij, ai përshkruan si u përball me rrezikun, pa pasur asnjë konflikt apo borxh me dikë dhe falë një çasti të fatit, shpëtoi pa lëndime. Për këtë episod akuzohet se u angazhua vrasësi me pagesë Skerdi Tasi, i cili është kthyer në bashkëpunëtor drejtësie.

“Unë përdor një Benz ML prej shumë vitesh, po shkoja si zakonisht te shkolla kur dëgjova 2-3-4 krisma. Nuk e kuptova çfarë ndodhi, e pashë nga pasqyra që një djalë i gjatë po mbushte armën. Unë e ktheva makinën dhe thashë: ‘Çfarë ndodhi?’ Ai iku me vrap. Lajmërova policinë sepse pashë gëzhojat në vendngjarje. Nuk kam pasur asnjë konflikt me njeri apo ndonjë shqetësim. Zoti deshi që shpëtova dhe jam këtu sot të dëshmoj. Si i thonë, jetgjati nuk bëhet, jetë e shkurtër.

Isha vetëm në makinë, plumbat ishin nga krahu i shoferit tek tranversa e derës. Nuk e lidh dot këtë ngjarje me asgjë. Jam njeri i rregullt, nuk di kujt t’i vë emër, nuk njoh asnjë nga këta persona. Në trotuar, kur më qëlluan, ishin dy topografë që po masnin rrugën. Shumicën e rasteve shkoj me bashkëshorten në punë; atë ditë, si rrallë herë, isha vetëm", citohet të ketë dëshmuar Masha.

Masha gjithashtu u shpreh se atentatori ishte duke e pritur në një kthesë të fortë ku ulet shpejtësia. Ndër të tjera ai thekson se nuk i ka asnjërit borxh, as edhe një euro.

Në dëshminë e tij Masha ka theksuar se Suel Çelën nuk e njeh dhe nuk e ka takuar asnjëherë. Sipas tij emrin e Suel Çelës e ka dëgjuar vetëm në televizion.

"Atentatori po më priste tek një kthesë e fortë ku ulet shpejtësia. Ai po rrinte te trotuari kur ecin njerëzit për vrap, sport. Nuk kam kujt as 1 euro borxh. Djali im, Adriani, ka bizneset e veta dhe një shkollë në Tetovë. Ditën e ngjarjes ai ishte këtu në Tiranë. Jetonte mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Ai është shumë i rregullt, nuk ka vese. Në dijeninë time, nuk ka pasur asnjë konflikt apo borxh, kurrë. Suel Çelën se njoh as, se kam takuar ndonjëherë, vetëm çfarë kam dëgjuar në TV”, u shpreh ai.

63-vjeçarit Lulëzim Masha iu bë atentat më 18 janar më 2022 teksa po lëvizte me automjetin e tij tip “Mercedez Benz ML”, ku në drejtim të tij u qëllua me armë zjarri pistoletë. 

Lini një Përgjigje