TAGS-AT E JAVËS

Kronike 7 Gusht 2024, 12:32

Dosja e SPAK/ Si Erzen Breçani pastronte paratë e drogës së të birit në pasuri të paluajtshme dhe aktivitete tregtare

Shkruar nga Pamfleti

Dosja e SPAK/ Si Erzen Breçani pastronte paratë e drogës

SPAK ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar për gjykim Erzen Breçanin dhe grupin e tij.

SPAK ka dërguar për gjykim ish-shefin Krimeve Dedan Gjonin, Ervin Matën, Eralbi Breçanin, Ismail Zenelin, Bujar Ajetin, Adrian Cenajn, Besmir Murtatin, Artan Sulejmanin, Albert Prengën, Bajram Grabovën e Jonida Babameton.

“Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale në Republikën e Shqipërisë”, është akuza që rëndon mbi Erzen Breçanin, ish-nëndrejtori i Policisë së Tiranë, i vënë në pranga pas daljes në përgjimet e SKY ECC, i lidhur me grup kriminal të trafikut të kokainës.

Sipas SPAK, Erzen Breçani me veprime aktive të kundërligjshme ka administruar dhe futur në qarkullim të ardhurat e përftuara nga i biri, po në hetim, Eralbi Breçani, si rezultat i aktivitetit kriminal të trafikimit të narkotikëve nga vendet e Amerikës Latine në Evropë.

Qëllimi ka qenë mbulimi i origjinës së vërtetë të tyre dhe vijimit të nxjerrjes së mëtejshme të të ardhurave nga aktivitetet tregtare ku janë injektuar këto të ardhura.

Nga aktet e administruara rezulton se veprimet e Erzen Breçanit dhe të Eralbi Breçani, kishin një synim të përbashkët, pengimin e identifikimit të origjinës së të ardhurave, produkte të veprimtarisë kriminale dhe integrimin e  tyre në qarkullimin civil.

Në këtë mënyrë ata kanë fshehur dhe mbuluar natyrën e vërtetë, burimin e të ardhurave që kanë qenë produkt i një vepre penale, nën petkun e “investimit” në pasuri të paluajtshme apo në aktivitete tregtare në dukje të ligjshme.

 

Lini një Përgjigje