
SPAK ka përfunduar hetimet për çështjen ku po hetohet Erzen Breçani dhe Dedan Gjoni, njëri shef komisariati dhe tjetri shef krimesh pranë komisariatit numër 6 në Tiranë.
Nga përgjimet që ndodhen në dosjen e SPAK zbulohet se Dedan Gjoni, shefi i krimeve të komisariatit nr 6, Dedan Gjoni i arrestuar më 21 nëntor së bashku me Erzen Breçanin, ka shërbyer si informator për persona të lidhur me krimin.
Mes tyre edhe për Dritan Rexhepin, një nga personat në listën e më të kërkuarve në Shqipëri, ai gjithashtu akuzohet si mbreti shqiptar i kokainës.
Dedan Gjoni akuzohet si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal që merrej me trafikun e drogës nga Amerika Latine drejt vendeve të Bashkimit Europian.
Më tej sipas dosjes së SPAK, Erzen Breçani dyshohet se ka përkrahur Nuredin Dumanin i akuzuar për disa krime të rënda.
Nga hetimet e SPAK ka rezultuar se Ismail Zeneli në bashkëpunim me Bujar Ajeti, Adrian Cenaj dhe Dedan Gjoni kanë ndërmarrë veprime konkrete në drejtim të sigurimit të kushteve, për vrasjen e vëllezërve Albert dhe Edmond Nela.
Sipas SPAK, Ismail Zeneli në bashkëpunim me Bujar Ajetin, Adrian Cenaj dhe ish-shefin e krimeve Dedan Gjoni kanë ndërmarrë veprime konkrete në drejtim të sigurimit të kushteve, duke gjurmuar, identifikuar banesat dhe mbikëqyrur lëvizjet e dy vëllezrëve dhe motrës së tyre, Silvi Nela për të kryer një vrasje ndaj tyre.
Pas planit qëndronte, Ismail Zeneli i cili kishte si motiv hakmarrjen ndaj personave të cilët ishin planifikuar si objektiv për tu eliminuar.
Bujar Ajeti, në marrëveshje me Ismail Zeneli kanë organizuar duke u investuar personalisht në gjetjen e banesave të shtetasve objektiv vrasje, kanë kryer veprime në drejtim të sigurimit të kushteve për kryerjen e një vrasje, qëllim ky i Ismail Zeneli.
Bujar Ajeti dhe Ismail Zeneli kanë kërkuar dhe gjetur persona të tjerë për të mbledhur të dhëna të dobishme për qëllimin e tyre kriminal. Nga ana tjetër, Adrian Cenaj, lidhje familjare e Bujar Ajetit, ka bashkëpunuar dhe mbështetur planin e Bujar Ajetit.
Dedan Gjoni, duke përdorur sistemet e Policisë së Shtetit, në të cilat ka patur akses për shkak të detyrës që ushtronte, ka mbledhur të dhëna dhe është vënë në shërbim të qëllimeve të Ismail Zeneli dhe jo për nevoja të diktuara nga detyra zyrtare e tij, e cila ishte të ruante rendin dhe qetësinë publike si dhe jetën e personit. Hetimi ka provuar se Ismail Zeneli kishte si motiv hakmarrjen ndaj personave të cilët ishin planifikuar si objektiv për t’u eliminuar.
Pjesë nga dosja e SPAK:
‘’Përkrahja e autorit të krimit; Të pandehurit Bujar Ajeti, Adrian Cenaj dhe Erzen Breçani kanë përkrahur shtetasin Nuredin Dumani i cili ishte në kërkim për kryerjen nga ana e tij të disa veprave penale shumë të rënda, të kryera në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. Të pandehurit Cenaj dhe Ajeti kanë strehuar dhe ndihmuar shtetasin Nuredin Dumani me qëllim që t’i shmanget drejtësisë në një moment kur për këtë person ishte caktuar një masë sigurimi nga gjykata. I pandehuri Erzen Breçani ka konsumuar veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”, parashikuar nga neni 302/1 i Kodit Penal, duke i dhënë informacione Bujar Ajetit si dhe Nuredin Dumanit në mënyrë që t’i shmangen arrestimit nga policia gjyqësore.
Në kuadër të hetimeve të këtij procedimi penal janë sekuestruar si produkt i veprës penale, ndër të tjera, disa pasuri të paluajtshme dhe të luajtshme, të cilat i janë bashkëngjitur akteve të dërguara për gjykim si më poshtë:
1-Shoqëria “HEC DRITA ENERGY”, me NIPT L99524601K, me pronar “R.O.S.P Breçani” shpk, i emëruar administrator për një periudhë kohore nga data 23.09.2019 deri në 23.09.2024 shtetasi Eralbi Breçani, me objekt veprimtarie “Ndërtimin, shfrytëzimin dhe administrimi i hidrocentralit DRITA, ku përfshihet financimi, projektimi, ndërtimi, vënien në punë, prodhimi, furnizimi, transmetimi, shpërndarja, eksportimi dhe shitja e energjisë elektrike sipas kontratës për “ndërtimin, shfrytëzimin dhe administrimin e hidrocentralit DRITA, me kapacitet prodhues 1.980 MË, në lumin e Gashit, degë e lumit Valbonë, Bashkia Tropojë, Qarku Kukës. Shitja e elektricitetit të prodhuar në Shqipëri dhe jashtë saj, blerje dhe shitje të pajisjeve për ndërtim HEC-i (tubacione çeliku, turbina, shtylla betoni, aksesorë të tjera, etj., brenda dhe jashtë vendit)”, me adresë në Kukës-Tropojë, rruga Dragobi, lumi i Gashit, dega e lumit Valbonë”;
2- Automjeti markës “Audi”, modeli “RS Q8”, vit prodhimi 2020;
3- Automjeti i markës “Mercedez Benz”, modeli “G350d”, vit prodhimi 2017;
4- Llogari bankare në shumën prej 75.000 (shtatëdhjetë e pesëmijë) euro.
Ndërkohë, për personat e tjerë nën hetim, bashkëpunëtorë në kryerjen e veprave penale të mësipërme, për të cilët nuk janë ekzekutuar akoma masat e sigurimit të miratuara nga Gjykata e Posaçme e Shkallës Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për fakte të tjera kriminale, si dhe për persona të tjerë të përfshirë në aktivitete kriminale që kanë rezultuar gjatë veprimeve hetimore të kryera në këtë procedim penal, është vendosur ndarja e çështjes penale dhe vazhdojnë të jenë ende në fazën e hetimeve paraprake’’
Lini një Përgjigje