66-vjeçari nuk ishte i përfshirë drejtpërdrejt në konfliktin mes grupeve, por ndërhyri për të mbrojtur një të ri që ndodhej brenda lokalit të tij
Rexhep Ismaili, pronari i një karburanti dhe lokali në fshatin Gjashtë të Sarandës, mbeti i vrarë mbrëmjen e 7 majit pas një konflikti të dhunshëm që dyshohet se nisi për një tentativë rrëmbimi.
Sipas burimeve, 66-vjeçari nuk ishte i përfshirë drejtpërdrejt në konfliktin mes grupeve, por ndërhyri për të mbrojtur një të ri që ndodhej brenda lokalit të tij, kur të paktën 10 persona hynë në ambientet e biznesit me sende të forta.
Burime nga hetimi bëjnë me dije se agresorët kanë tentuar të marrin peng një person që ndodhej në lokal, ndërsa konflikti dyshohet të ketë lidhje me motive pronësie. Ende nuk dihet identiteti i personit që ishte objektiv i rrëmbimit.
Në përpjekje për të ndalur përshkallëzimin e situatës, Rexhep Ismaili u është drejtuar autorëve me fjalët: “djali është në shtëpinë tonë dhe nuk e prekni dot këtu”, por më pas sherri ka degraduar në përdorimin e armëve të zjarrit.
Sipas të dhënave paraprake, dyshohet se Lulzim Tabaku ka nxjerrë i pari armën dhe ka qëlluar ndaj 66-vjeçarit, i cili ishte edhe kryetar i Shoqatës “Çamëria” në Sarandë. Pas të shtënave të para, një tjetër person që ndodhej pranë banakut ka hapur zjarr.
Gjatë shkëmbimit të zjarrit ka mbetur i plagosur edhe një person tjetër, i cili nuk është paraqitur në spital për ndihmë mjekësore. Pas ngjarjes, autori i dyshuar, Lulzim Tabaku, është larguar nga vendi i ngjarjes bashkë me të plagosurin dhe aktualisht ndodhen në kërkim nga policia.
Në vendngjarje ka mbetur edhe një automjet që dyshohet se u përket autorëve.
Policia e Sarandës ka sekuestruar kamerat e sigurisë të biznesit dhe zonës përreth, me qëllim zbardhjen e plotë të dinamikës së ngjarjes dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në konflikt.
Ndërkohë, kontrolle po ushtrohen në spitalet rajonale dhe klinikat private për të bërë të mundur identifikimin e personit të plagosur. Hetuesit nuk përjashtojnë mundësinë që autorët të jenë larguar nga Saranda, pasi fshati Gjashtë ndodhet pranë daljes së qytetit.
Lini një Përgjigje