
Detaje të reja janë zbardhur në lidhje me vrasjen e Lulëzim Vishës tre ditë më parë në Zonën e Zall Mnerit në Kamëz.
Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se gëzhojat që u gjetën në vendngjarje dhe brenda automjetit të viktikës, përkojnë me armën që u gjet brenda “Porsche” të djegur në Zall Herr.
Po ashtu, rezulton se e njëjta model arme u gjet gjatë kontrollit në banesën e Ervis Lamit.
Policia do të marrë ADN e gëzhojave të gjetura në vendin e ngjarjes dhe në banesën e Lamit për të bërë më pas krahasimin. Gjithashtu policia po vijon me analizimin e pamjeve të kamerave të sigurisë dhe me marrjen në pyetje të familjarëve të Lulzim Vishës.
Ndërkohë kushëriri i Ervis Lamit, Eduart Lami teksa është marrë në pyetje ka deklaruar se nuk ka patur konflikte me viktimën apo me familjen e tij.
“Nuk kemi pasur konflikt me familjen e viktimës. Në dijeninë time nuk kemi pasur asnjë debat apo përplasje. Nuk e di për pjesëtarë të tjerë të familjes nëse kanë pasur konflikte me dy vëllezërit Visha. Por unë personalisht dhe nga ajo çfarë di unë nuk kemi pasur konflikte”, mësohet të ketë deklaruar Eduart Lami.
Deri më tani Eduart dhe Ervis Lami akuzohen vetëm për armëmbajtje pa leje, megjithëse kontrolli në banesën e Lamit u zhvillua pas dyshimeve se dy kushërinjtë mund të kenë pasur konflikte me familjen Visha.
Kujtojmë se Lulzim Visha u gjet i vrarë mëngjesin e 24 Janarit në një makinë në rrugën “Shën Stefani” në Zall Mner të Tiranës. Visha punonte postier dhe në momentin e ngjarjes ishte nisur për në punë me automjetin e një poste private, ku u qëllua me breshëri plumbash. Sipas informacioneve paraprake, janë gjetur 12 gëzhoja pistolete brenda mjetit me të cilin po lëvizte viktima.
Lini një Përgjigje