Prej tre ditësh vazhdojnë kërkimet dhe hetimet për arratisjen e Atlin Ndocit nga Spitali i Durrësit.
Kontrolle janë zhvilluar kontrolle në shumë banesa, në Tiranë e Durrës.Gjithashtu pjesë e kontrolleve ka qenë edhe një banesë e tij në vendlindje në Pukë.
Sakaq mësohet se makina e tij është parë për herë te fundit ne autostradën Durrës -Tiranë në territor te Tiranës dhe më pas eshtë zhdukur.
Si ndodhi arratisja
Në pamjet e publikuara në media shihej 39-vjeçari i veshur me të zeza duke vrapuar në parkingun e pasëm të spitalit, teksa largohet pa lënë gjurmë.
Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, ai ishte shoqëruar në spital në repartin infektiv, i cili ka edhe një pavion sigurie për të dënuarit. Policët që e shoqëronin i thanë grupit hetimor se Ndoci, pasi ka kryer vizitat në spital, ka kërkuar të shkojë në tualet.
Në momentin që ata i kanë hequr prangat, ai i ka shtyrë policët dhe është përleshur me ta, e më pas ka mundur të largohet me vrap. Në përpjekje për ta ndaluar, mësohet se Fatjon Baci, polici që shfaqet në foto, ka nxjerrë pistoletën dhe ka qëlluar në ajër.
Por tentativa e tij ka rezultuar e pasuksesshme, pasi Ndoci ka mundur të largohet. Sipas burimeve, në dalje të spitalit Ndocin e priste një makinë tip Audi A7, me të cilën ka mundur të largohet. Nga hetimet mësohet se targat e automjetit që u përdor për arratisjen e Altin Ndocit nga Spitali i Durrësit rezultojnë të denoncuara si të vjedhura pak ditë më parë.
Tashmë pritet që të vazhdojnë hetimet, në drejtim të zbulimit të identitetit të personave, që e kanë ndihmuar Ndocin të arratiset. Kjo, pasi Ndoci është arratisur, pas një plani të mirë-organizuar. Nuk dihet ende se kush e ka ndihmuar Ndocin të arratiset, por të dyshuar janë të arrestuarit. Po ashtu, nuk dihet nëse Altin Ndoci është ende brenda vendit apo është arratisur jashtë shtetit.
Altin Ndoci dyshohet se fshihet në Tiranë
Policia ka dyshime të forta se i arratisuri nga spitali i burgut në Durrës, Altin Ndoci fshihet në Tiranë. Nisur nga kjo, janë kryer disa kërkime në disa zona të kryeqytetit. Kërkime për Ndocin janë realizuar në zona si Yzberishti, Ndroqi, Astiri, Don Bosco, Selita. Ndoci ka dhe një banesë në zonën e Yzberishtit. Familjarët e tij kanë thënë se nuk e dinë se ku fshihet.
Automjeti i dyshuar, me të cilin është larguar Altin Ndoci, nga kamerat e sigurisë, rezulton se ka shkuar deri në Kavajë, ndërsa më pas nuk ka më pamje. Kontrollet janë fokusuar në trekëndëshin Tiranë-Durrës-Elbasan. Edhe pikat kufitare janë vënë në alert, që Ndoci mos të largohet nga Shqipëria.
Plani për arratisje
Autorët që ndihmuan në arratisjen e 39-vjeçarit duket se janë kujdesur në detaje për planin, pasi për të shmangur çdo lloj dyshimi, modeli i makinës së cilës iu vodhën targat dhe makina e përdorur për arratisje është i njëjtë, “Audi A7”. Altin Ndoci konsiderohet nga autoritetet si një person me rrezikshmëri të lartë shoqërore. Ai ka qenë arrestuar në vitin 2020 dhe prej atëherë mbahej i paraburgosur në burgun e Durrësit.
Fillimisht ai u arrestua për dy ngjarje të rënda kriminale me katër të vrarë, konkretisht ekzekutimin e Anxhelo Avdiajt dhe Dorian Shkozës, si dhe dy vëllezërve Viktor e Besmir Haxhia në Durrës.
Por këto akuza nuk u provuan dhe 39-vjeçari arriti të fitojë pafajësinë pas disa vitesh.
Lini një Përgjigje