Zv.Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Femi Sufaj ka folur lidhur me arratisjen e Altin Ndocit nga Spitali i Durrësit, ditën e djeshme, teksa e cilësoi këtë si një ngjarje të rëndë.
Sufaj bëri me dije se drejtoria po vlerëson situatën për të marrë masa parandaluese në shoqërimin e të burgosurve drejt spitaleve apo gjykatave, me qëllim shmangien e rasteve të tilla në të ardhmen.
Po ashtu ai sqaroi gjithashtu se arratisje të tilla janë shumë të rralla, ku e fundit ka qenë në vitin 2010.
“Në 13 janar nga Drejtoria e Burgjeve jemi informuar se nga ambientet e spitalit Durrës ishte arratisur Altin Ndoci që kishte shkuar për vizitë tek kirurgu. Menjëherë janë dërguar të dhëna në policinë e shtetit për shpalljen në kërkim dhe kërkimin e tij. Një ekip i Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve ka shkuar në pranë institucionit të ekzekutimit të vendimeve penale Durrës po ashtu edhe Prokuroria e Rrethit dhe Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm që po kryejnë verimet hetimore.
Drejtori i Përgjithshme ka pezulluar disa punonjës deri në përfundim të hetimeve. Kjo është një ngjarje e rëndë për burgjet dhe për komunitetin. Drejtoria është duke vlerësuar situatën për marrjen e masave parandaluese për shoqërimin e të burgosurve në spitale apo gjykata. Dua të sqarojë se ngjarje të tjera janë shumë të rralla, kjo është rasti i dytë pas një arratisje nga spitali në 2010 që u arrestua pas 24 orësh”, tha ai për emisionin ‘Frontline Interview’.
Lini një Përgjigje