
Një sasi e konsiderueshme armësh dhe municionesh luftarake është zbuluar nga Policia e Lezhës gjatë një operacioni të koduar “Befasia”, i zhvilluar në fshatin Markatomaj.
Gjatë kontrollit në banesën e një 62-vjeçari, i identifikuar si Lek Jakaj, efektivët gjetën dhe sekuestruan: një armë zjarri automatike me tre krehëra, 414 fishekë luftarakë, gjashtë granata difensive dhe pesë ndezëse detonatorësh të unifikuar.
Sipas njoftimit zyrtar, aksioni u organizua pas informacioneve të siguruara në rrugë operative për posedim të paligjshëm të armëve. Raportohet se, 62-vjeçari u arrestua në flagrancë për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Lezhës për vijimin e hetimeve.

Njoftimi i policisë:
Goditet një tjetër rast i mbajtjes pa leje të armëve.
Sekuestrohen armë zjarri, qindra fishekë luftarakë, granata difensive dhe ndezëse detonatorësh të unifikuar.
Arrestohet në flagrancë një 62-vjeçar që i mbante pa leje.
Në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e rasteve të armëmbajtjes pa leje, bazuar edhe në informacionet e marra në rrugë operative se një shtetas dispononte armë dhe municion luftarak, shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Befasia”.
Gjatë operacionit, në banesën e shtetasit L. J., 62 vjeç, në fshatin Markatomaj, Lezhë, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, 1 armë zjarri automatike me 3 krehëra, 414 fishekë luftarakë, 6 granata difensive dhe 5 ndezëse detonatorësh të unifikuar.
Në vijim të veprimeve procedurale, 62-vjeçari u arrestua në flagrancë për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.
Lini një Përgjigje