Gjykata e Posaçme e Apelit ka hequr masën e sigurisë “detyrim paraqitje” nga gazetarit Elton Qyno, në kuadër të procedimit penal për dosjen e Suel Çelës.
Ndaj Qynos u vendos masa e sigurisë “detyrim paraqitje” për veprën penale korrupsion pasiv në sektorin privat.
Ndërkohë, gjyqtari Dhimitër Lara la në fuqi masat e sigurisë “arrest në burg” për ish-gjyqtaren e Elbasanit Pajtime Fetahu dhe vëllezërit Marsel e Xhino Roka.
Kujtojmë se nga hetimet e SPAK, Suel Çela ka synuar të manipulojë perceptimin publik për të inkriminuar rivalët e grupit Çopja, duke i paraqitur ata si të paprekshëm, me lidhje të mundshme me politikën. Për realizimin e këtij skenari, SPAK thotë se janë përdorur 2 gazetarët, Artan Hoxha dhe Elton Qyno, ndaj të cilëve u caktua masa “detyrim paraqitje”.
“Trysnia për hetime pasurore në kuadër të OFL-së dhe nxitja e mediave për të marrë dëshmi nga individë që mund të inkriminojnë rivalët e tij do të krijonin, sipas Suel Çelës, në opinionin publik perceptimin se këta rivalë, për shkak të lidhjeve të dyshuara politike, janë bërë “të paprekshëm”. Dyshohet se këto synime i ka realizuar përmes bashkëpunimit me gazetarët Artan Hoxha dhe Elton Qyno, të cilët kundrejt përfitimeve monetare të paligjshme kanë mbajtur qëndrime në media, si dhe kanë publikuar artikuj dhe video që keqinformonin dhe manipulonin opinionin publik”, thuhet në njoftimin zyrtar të SPAK.
Lini një Përgjigje