
Policia ka publikuar imazhet e aksionit sot në kampin e MEK. Muxhahedinët pretenduan për dhunë nga forcat e rendit dhe policia ka nxjerr imazhet e operacionit.
Aty shihen kur banorët dalin të ndalojnë makinat e policisë, teksa disa persona nxitojnë të asgjësojnë materialet kompromentuese. Në imazhe shihet po ashtu se janë zbuluar salla me kompjuterë, nga ku dyshohet se bëheshin sulme kibernetike. Ndërkohë në pamje shihet se janë asgjësuar dhe dokumente. Një person shihet duke djegur disa materiale. Ndërkohë nuk ka akoma një reagim nga SPAK për të sqaruar si nisën hetimet dhe çfarë dyshimesh ka pasur që u aprovua operacioni sot.
“Në zbatim të vendimit të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe të urdhrit të ekzekutimit të Prokurorisë pranë kësaj Gjykate, për kontrollin e të gjitha ambienteve dhe zyrave ku banojnë për qëllime humanitare, Policia e Shtetit, në kuadër të një plani operacional, ka filluar kontrollin e të gjitha ambienteve dhe zyrave në kampin MEK, në Manëz, Durrës.
Në zbatim të urdhër-kontrolleve të nxjerra nga Gjykata, Policia e Shtetit ka marrë masa për zbatimin e tyre, me planin e kontrollit të ambienteve në territorin e kampit MEK, duke zbatuar me rigorozitet etikën dhe komunikimin e duke respektuar të drejtat dhe liritë themelore të të gjithë qytetarëve dhe komunitetit që banon në këtë kamp.
Grupet e kontrollit të Policisë po vijojnë kontrollet në territorin e kampit MEK dhe në ambientet e brendshme të tij.
Në përfundim të kontrolleve do të ketë njoftim më të detajuar”, njofton policia.
Lini një Përgjigje