Zbardhen detaje të tjera nga aksidenti tragjik sot në Këlcyrë. Ngjarja ndodhi rreth orës 04:00, në aksin rrugor Këlcyrë-Përmet në afërsi të fshatit Kuqar.
Raportohet se mjeti ku udhëtonin 7 emigrantë, ka dalë nga rruga në rrethana ende të paqarta dhe ka përfunduar në shtratin e lumit Vjosë. Si pasojë e aksidentit, 8 persona kanë humbur jetën, përfshirë dhe shoferin.
Mësohet se 6 trupa të pajetë u nxorën nga mjeti, ndërsa 2 prej tyre kanë ngelur ende brenda ‘Benz’-it. Ndërsa një prej trupave ka "fluturuar" jashtë mjetit.
Drejtuesi i mjetit, Sokol Ismeti ka tentuar që t’i largohet policisë, pasi është pikasur nga patrulla me mjetin e mbushur plot me njerëz. Sapo ka parë patrullën e policisë ai ka shtuar shpejtësinë dhe është kthyer për në drejtim të Përmetit për t’u larguar.
Burimet thonë se sipas ekspertizës paraprake mjeti ka qenë duke lëvizur me shpejtësi 180 km/h. Dyshohet se automjeti është marrë me qira, ndërsa priten të tjera verifikime nga ana e policisë.
Lini një Përgjigje