
Një shqiptar mbeti i plagosur si pasojë e të shtënave me armë zjarri në Podgoricë. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së enjtes pranë kodrës së Goricës, ndërsa autori i krimit, po shtetas shqiptar është arrestuar nga policia.
Në një njoftim zyrtar, Policia e Malit të Zi bën të ditur se i plagosuri është shtetasi i Shqipërisë, B.K, i cili u qëllua me armë pas një debati që pati me një tjetër shqiptar, i identifikuar si E.B 23 vjeç.
“Oficerët e policisë të Qendrës Rajonale të Sigurisë ‘Qendra’, duke ndërmarrë masa dhe veprime urgjente për të hedhur dritë mbi veprën penale të tentativës së vrasjes që u krye rreth orës 21:45 të së enjtes në Podgoricë në dëm të shtetasit të Republikës së Shqipërisë, B.K, organizuan operacionin për kapjen e autorit të krimit, duke vendosur kontrolle të shtuara në pikat kufitare, por edhe në zonën ku ndodhi krimi”, thuhet në deklaratë.
Departamenti i Policisë shtoi se në operacion janë angazhuar edhe Njësitë Speciale të Policisë.
Thuhet se policia e arrestoi autorin e krimit në kanionin e lumit Moraça, midis urave Blazov dhe Viseçi.
“Shtetasi shqiptar E.B, 23 vjeç u arrestua, dhe përveç dokumenteve të udhëtimit të Shqipërisë, zotëronte edhe dokumente udhëtimi të Kosovës”, tha policia.
Ata raportuan se i plagosuri B.K u dërgua në Qendrën Klinike të Malit të Zi (QKKM) për ndihmë mjekësore, ku u morën masa urgjente kirurgjikale.
Lini një Përgjigje