Politika edhe gënjen, por e vërteta e ka mposhtur gjithmonë.
E vërteta është gjithmonë e vërtetë edhe nëse askush nuk e beson atë.
Gënjeshtra është gjithmonë gënjeshtër edhe nëse të gjithë e besojnë atë.
Te besimi varet gjithçka në lidhje me të vërtetën dhe gënjeshtrën. Besimi te gënjeshtra ka sjellë gjithmonë krizë morale në një shoqëri.
Po besimi, si krijohet?
Nuk mund të shpjegohet plotësisht pse ndodh besimi ndaj gënjeshtrës dhe mosbesimi ndaj së vërtetës. Por më thelbësor është interesi. Të tjerat mund të kenë lidhje edhe me lajthimin individual.
Kurse interesi kundër së vërtetës është një fenomen i komplikuar, por gjithsesi është interesi që i cënohet individit nga e vërteta, dhe ai, në një gjendje transi mendor, hidhet kundër të vërtetës.
Por, në një shoqëri, e vërteta duhet të jetë e lirë. Kjo sepse, kur e vërteta nuk është e lirë, liria nuk është e vërtetë.
Ka një lidhje të drejtpërdrejtë midis lirisë dhe të vërtetës. Dhe shoqëritë etnike sot vlerësohen se si ato e kanë raportin me të vërtetës në veprimtarinë e tyre shoqërore.
Pikërisht këtu fillon ose tragjedia, ose mirëkuptimi shoqëror: te qëndrimi kundrejt së vërtetës.
Kurse ne shqiptarët duhet të kujtohemi gjithmonë se kemi kaluar nga një regjim politik i gënjeshtërt në mbi dyzet vite rresht.
Por tani jemi të shpëtuar. Dhe kjo kuptohet sot në të gjitha aspektet e jetës shoqërore në Shqipëri.
Po politika, a gënjen sot në Shqipëri?
Politika edhe gënjen, por e vërteta e ka mposhtur gjithmonë. Dhe kjo tregon se nuk po sundon gënjeshtra. Gënjeshtra bëhet sunduese kur atë e besojnë të gjithë.
Kurse gënjeshtra sunduese, rrëzohet menjëherë sapo që edhe një individ e ballafaqon atë publikisht me të vërtetën.
E pra, e vërteta sot është e lirë në shoqërinë shqiptare, edhe nëse atë ka raste që nuk e besojnë. Por, fakti që ajo është e lirë, shoqëria ka shpresë.
Lini një Përgjigje