Në qendër të Tiranës, një Presidenti turk dhe një kryeministër tutkun, përçmuan linjat e Amerikës mike për sigurinë e paqes, i ranë me kopaçe pas kokës edhe Kushtetutës së Shqipërisë, që nuk lejon ndërhyrje nga një shtet i huaj apo politika në emërimin e strukturave drejtuese të kulteve fetare...

Erdogan përçan myslimanët, por bashkon antiamerikanët në Tiranën e tiranëve.
Kështu Shqipëria bën shenjë në gjithë Botën.
Jo vetëm fluturon nëpër qiell të lajmit, si populli më paqësor me shumicë myslimane dhe prirje pro amerikane, por edhe me shumicë hajdute në qeverisje.
Thirrja e Presidentit turk për bashkim të myslimanëve jo vetëm të Ballkanit, por të gjithë Botës kundër Izraelit, përkrahja e Lëvizjes së Rezistencës Islamike Hamas, gjatë inaugurimit të xhamisë së Namazgjasë, në krah të kryeministrit të Shqipërisë, u regjistrua jo vetëm si rasti flagrant ku Babloku provokon Ambasadën Amerikane, por edhe vulos nënshtrimin shembullor të diplomacisë dhe skllavërimin tej kufijve të durimit njerëzor të popullit të vet, që e ka rrjepur prej vitesh, dhe vazhdon kryelartë ta skllavërojë.
Xhamia e re e Namazgjasë, dhuratë nga Rexhep Taip Erdogan, nuk do bënte fare lajm, nëse sot komuniteti mysliman do të ishte aty në përurim, dhe nesër në administrim.
Në ato kushte, e sigurt që Erdogani i Turqisë dhe Sulltani i Shqipërisë nuk do të reklamonin dronët kamikazë dhe bashkimin e islamikëve radikalë kundër perëndimit.
Në qendër të Tiranës, një Presidenti turk dhe një kryeministër tutkun, përçmuan linjat e Amerikës mike për sigurinë e paqes, i ranë me kopaçe pas kokës edhe Kushtetutës së Shqipërisë, që nuk lejon ndërhyrje nga një shtet i huaj apo politika në emërimin e strukturave drejtuese të kulteve fetare.
Prandaj u përçanë myslimanët.
Dhe jo vetëm myslimanët, por edhe katolikët, ortodoksët, e deri bektashinjtë që para ca ditësh Babloku u fali një shtet dhe ua mori në të tretën ditë, nuk e njohin fare këtë “dhuratë” kalë Troje, që synon islamizimin radikal të kuletës së kuleve të Erdoganit turk dhe Sulltanit tonë.
Po Babloku nuk është kaq budalla sa duket.
Xhamia që solli Erdogani ka bashkuar gjithë antiamerikanët.
U bënë shend e verë qafirët, hajdutët, kriminelët, Melekët e krijuar nga drita e Charles McGonigal-it, Xhindët e flakëve të Saliut dhe Ilirit dhe patronazhistët dhe mediat e baltës së dollarëve të Edi Ramës.
Isuf Myzyri, vargjet e famshme: Ke selvitë e Namazgjasë/ Rreth e qark o ç’e kan hijeshu/ O boni hise moj fukaras/ e Kujto Zotin e fol me mu,/ duket se i kishte për Erdoganin, që nuk foli fare me shqiptarët, por me hajdutët rreth Edi Ramës, që nuk mendon asnjë moment për demokraci, por për Erdoganizim me Ramokraci.
Më poshtë, poeti analfabet me karakter sufi, muzë persiane, i kujdesshëm me groteskun gjenial, i ka gdhendur edhe ca vargje aty “ke selvitë e Namazgjasë” fiks për Sulltanin e Surrelit: Ftyra jote si rreze dielli/ Jeretisë moj prej Perëndisë/ O ku ta gjej unë nji bojë të zezë/ T’i shkruj harfet o të bukurisë.
Se po, nga fytyra Babloku shndrit, se është mbret e sheik, nga bukuritë e këtij vendi të huajt lemerisen, por bojën e zezë, nuk e përdorin sot ata që rrinë krah Presidentit turk e kryeministrit tutkun që gjithçka e kanë grabitur për vete, edhe kultet fetare.
Teza në teqe sot, nëse nuk e futin ndërkombëtarët në thonjëza nesër, do të rritet si sëmundja më e tmerrshme e Globit.
Erdogan dhe Rama, nëse Ambasada Amerikane nuk është dakord me bashkimin e radikalëve islamik kundër interesave amerikane në luftën Izrael- Palestinë, e sigurt se po luajnë aktin e fundit në tragjedinë “Makbethi”, por në variantin ndryshe.
Heroizmi tragjik, ku Rama dhe Erdogan duhet të ikin pasi të mundin Amerikën, mbase do nuk do ishte aq i ndjekur sa në trajtën që të dy të vrisnin veten para triumfit.
Pra, Makbethin” shqiptar, 10 shekuj pas tragjedisë shekspiriane, e ka në dorë vetëm Ambasada Amerikane, ndryshe shqiptarët, për të rrëzuar mbretin do vazhdojnë të vrasin veten./Pamfleti
Lini një Përgjigje