
Ditën e sotme do të mbahet seanca e radhës gjyqësore ndaj Fredi Belerit.
Në ambientet jashtë Gjykatës së Posaçme është shpalosur nga dy persona një banderolë kundër tij.
“Beleri në jug, Radoiçiç në veri”, shkruhej aty.
Kujtojmë se në seancën e parë të gjyqit, më 12 Tetor, Fredi Beleri kërkoi përjashtimin nga trupa gjykuese të gjyqtares Etleva Deda.
Më 17 Tetor, kjo gjyqtare u zëvendësua nga Flora Hajredinaj, duke bërë që seanca të shtyhet për këtë të martë.
Sot pritet të lexohet kërkesa për gjykim nga SPAK, e cila e akuzon Belerin se bleu vota në zgjedhjet lokale të 14 Majit.
Fredi Beleri u arrestua dy ditë para zgjedhjeve lokale të 14 majit, duke u bërë i vetmi kandidat në Shqipëri që zgjidhej në një post publik ndërsa ishte në qeli.
Prokuroria e akuzon Belerin për “korrupsion aktiv në zgjedhje”, duke pretenduar se ka provuar tej çdo dyshimi se ai i kishte ofruar një bashkëpunëtori të policisë 50 euro për çdo votë që mund të gjente në favor të tij si kryetar i Bashkisë së Himarës.
Për të njëjtën vepër penale akuzohet edhe bashkëpunëtori i tij, Pandeli Kokaveshi.
Lini një Përgjigje