TAGS-AT E JAVËS

Forum24 Dhjetor 2024, 10:17

Maskat e pushtetit fshehin dyfytyrësinë dhe gënjeshtrat, por vjen një ditë dhe ato bien…

Shkruar nga Mauro Armanino

Maskat e pushtetit fshehin dyfytyrësinë dhe gënjeshtrat, por vjen

Dhe vjen dita në të cilën, ndonjëherë pa asnjë paralajmërim, kur maskat bien dhe fytyra e pushtetit shfaqet në të vërtetën e tij të zhveshur dhe gënjeshtare.

“Në këtë botë nuk ka absolutisht asgjë origjinale. Ajo që duhet kuptuar, nuk është nëse jemi apo jo me maska në fytyrë, por çfarë lloj maske mbajmë. E gjithë historia e qytetërimit bazohet në prodhimin dhe zëvendësimin e maskave. (Aleksandër Zinoviev, filozof dhe disident rus).

Sigurisht, përdorimi dhe domethënia e maskave ndryshon në varësi të kulturës. Për shembull, në disa grupime etnike në Afrikën Perëndimore, maska është tradicionalisht simbol i pranisë dhe fuqisë shpirtërore. Pra diçka e shenjtë që bashkon të dukshmen, dhe të padukshmen në ceremonitë rituale.

Në vende të tjera të botës, maska përdoret në shfaqje teatrale dhe në përgjithësi për të fshehur dhe zbuluar identitete të tjera në të njëjtën kohë. Por më shpesh, ajo bëhet sinonim i standartit të dyfishtë, gënjeshtrës, komedisë apo thjesht i një lojë rolesh.

Në disa kultura maskat janë protagonistet e festës së karnavaleve. Prandaj, ajo që shkroi dikur rusi Aleksandër Zinoviev duhet të interpretohet në versionin e dytë të cituar më lart. Dhe cilido e kupton shumë mirë, nga të gjitha këndvështrimet, se për çfarë po flitet.

Gënjeshtra, dyfytyrësia, transformimi, premtimet që angazhojnë vetëm ata që i dëgjojnë... të gjitha këto dhe shumë të tjera janë bartës të regjimeve dhe ideologjive politike, përfshirë ato fetare, që grumbullojnë historinë njerëzore. Zinoviev, i cili jetonte i mërguar në Gjermani, pati një kritikë të pamëshirshme ndaj Perëndimit, i cili e kishte pritur krahëhapur në atë kohë.

Për të çështja nuk është nëse dikush mban një “maskë”, por “llojin” e maskës që i zbukuron fytyrën. Miku i tij Steven Ellis, i cili vdiq para kohe, shkroi një libër në lidhje me luftën civile në Liberi me titull “Maska e anarkisë” mbi atë që ndodhi gjatë 15 viteve shkatërrime dhe vdekjesh në atë vend.

Në vend të kësaj, këtu ashtu si gjetkë, do të bënim më mirë të flisnim për “Maskat e pushtetit”, pra për falsifikimin e vazhdueshëm, të studiuar dhe të planifikuar të realitetit. Ky është një projekt që bashkon çdo ideologji apo projekt social, i cili synon që të jetë totalitar.

Domethënë të marrë përsipër identitetin e personit dhe të shoqërisë, për ta bërë atë sipas imazhit dhe ngjashmërisë së tij. Kjo është edhe arsyeja pse Zinoviev flet për “prodhimin dhe zëvendësimin” e maskave, në rast se kjo bëhet e nevojshme për regjimin në pushtet.

Dominimi i informacionit duket i rëndësishëm, sepse sidomos sot ekziston vetëm ajo që shfaqet nëpër ekrane, qofshin të mëdha apo të vogla, apo në valët e radios. Kontrolli i lajmeve përdor justifikime të motivuara ideologjikisht, nga përshtatja e realitetit me atë që formon botën e pushtetit.

Ata që ndikojnë mbi të menduarit dhe praktikën e njerëzve frikësohen, dhe nëse është e mundur rekrutohen në sistemin unik të mendësisë të sistemit. Nuk është aspak rastësi që udhëheqësit fetarë, së bashku me intelektualë të tjerë, artistë apo anëtarë të shoqërisë civile, do të jenë objekt i një kujdesi dhe shpërblimi të veçantë.

Por maska e gënjeshtrës mbahet edhe në fusha të tjera si politika, ekonomia, menaxhimi i sigurisë, dhe mbi të gjitha në përdorimin e fjalëve. Kjo e fundit është e vlefshme dhe ka rëndësi vetëm aq kohë sa është funksionale për projektin totalitar të regjimit.

“Lëvozhga” e fjalëve nuk përputhet më me kuptimin që ato mbartin së brendshmi. Barazia, drejtësia, të drejtat e njeriut, liria dhe dinjiteti janë terma, përmbajtja e të cilave ndryshon në varësi të komoditetit dhe funksionalitetit të projektit të shoqërisë që ajo dëshiron të vendosë.

Megjithatë, çdo gjë e ka një kufi që diktohet nga vetë realiteti, i cili, siç e dimë, është kokëfortë, këmbëngulës, i rrezikshëm dhe i bezdisshëm. E ndrydhur ose e fshehur nga njëra anë, ajo rishfaqet në anën tjetër, pasi nuk është kurrë plotësisht e kontrollueshme dhe e manipulueshme nga sistemi.

Me gjithë përpjekjet patetike të regjimeve totalitare, ajo i shpëton një shpjegimi të vetëm, leximit dhe skllavërimit. Dhe vjen dita në të cilën, ndonjëherë pa asnjë paralajmërim, kur maskat bien dhe fytyra e pushtetit shfaqet në të vërtetën e tij të zhveshur dhe gënjeshtare./Përshtati "Pamfleti" nga “Il Fatto Quotidiano”

*Shënim: Mauro Armanin, misionar, doktor në antropologji dhe etnologji kulturore.

 

Lini një Përgjigje