Churchilli i ri është sot Emmanuel Macron, presidenti francez, që ashtu si kryeministri anglez në orën më të errët të Evropës së rrezikuar nga nazi-fashizmi, vendosi të marrë të enjten drejtimin e Ukrainës, Evropës dhe botës së lirë...
Gjatë një interviste televizive për televizionin shtetëror francez TF1, Macron e tha troç se Evropa dhe Perëndimi kanë negociuar gjithçka që ishte për të negociuar me Moskën, dhe se me Putinin nuk ka mbetur asgjë për të diskutuar, se Ukraina duhet ta fitojë me patjetër këtë luftë, dhe që kjo të ndodhë duhet një angazhim i drejtpërdrejtë i Francës.
Ndërsa Macron u takua të premten në Berlin me kancelarin gjerman Olaf Scholz dhe kryeministrin polak Donald Tusk për të diskutuar mbi lëvizjet e radhës, zyrtarët në Kremlin po tallen me hipotezat e negociatave të paqes, tashmë të degraduara në një repertor grotesk për akrobatët e emisioneve televizive nga ithtarët e Putinit dhe anti-kapitalistë të deklaruar.
Që të gjithë këta të fundit janë bashkë në apelin drejtuar ukrainasit që të lejonin të pushtoheshin nga Rusia, ndërsa në asnjë rast nuk kanë kërkuar nga fashistët rusë të ndërpresin luftën dhe të kthehen në shtëpitë e tyre, duke ndalur bombardimin e shtëpive, shkollave dhe spitaleve.
“Do të ishte qesharake të negocionim tani që Ukrainës po i mbarojnë municionet”- deklaroi së fundmi Putin, duke vlerësuar hapur dhuratën e miqve Trumpianë të MAGA-s, të cilët po bllokojnë furnizimin e Kievin me armët amerikane.
Ndërkaq Dmitry Medvedev, bashkëpunëtori i tij radikal, propozoi një “plan paqeje” me 7 pika, që thuajse i fshin tërësisht nga harta gjeografike dhe historia Ukrainën dhe ukrainasit, duke e cilësuar luftën që po e vazhdon Rusia më shumë sesa një luftë e shenjtë si ajo e Hamasit kundër Izraelit dhe hebrenjve.
Fjalimi televiziv i Macron-it, tregoi se Evropa po nis më në fund të bëhet serioze, duke u bërë e vetëdijshme se nëse Donald Trump, miku dhe bashkëpunëtori i Putinit, do të fitojë në Amerikë në zgjedhjet e nëntorit, atij do t'i duhet të përveshë mëngët dhe të përballet si i rritur me synimet imperialiste dhe politikat kriminale të Kremlinit.
Jo të gjithë udhëheqësit janë si Macron, si Joe Biden, apo si ata të vendeve të Baltikut, Britanisë së Madhe, Polonisë, Finlandës dhe Suedisë. Për shembull, Papa po bën një firgurë gjithnjë e më të turpshme në populizmin e tij argjentinas.
Po ashtu me këtë qasje ai është duke u distancuar gjithnjë e më shumë nga mjeshtëria gjeopolitike e Papa Gjon Palit II, njeriu që bashkë me amerikanin Ronald Reagan dhe britaniken Margaret Thatcher, rrëzuan fillimisht Murin e Berlinit dhe më pas Bashkimin Sovjetik, të etiketuar publikisht si “perandoria e së keqes”, duke çliruar miliona njerëz nga errësira e totalitarizmit.
Bergoglio i ftoi viktimat ukrainase që të ngrenë flamurin e bardhë, të dorëzohen, pa i shkuar asnjëherë në mendje që t'u sugjeronte agresorëve rusë që të tërhiqeshin dhe të ndalnin luftën ndaj vendit fqinj.
Madje në fund të gushtit të vitit të kaluar, Papa Bergoglio i ftoi të rinjtë fashistë rusë, fëmijë ideologjikë të Putinit, që të vazhdonin të ishin vetvetja, të ndiqnin shembullin e imperializmit kulturor rus të Pjetrit të Madh dhe Katerinës II, i cili nuk është ndalur asnjëherë.
Ne në Itali kemi shumë parti pak a shumë pro-ruse, dhe opinionistë që e përkufizojnë veten si pacifistë, por që në realitet janë luftënxitës, por që luftojnë me palën tjetër, përkrah armiqve të Ukrainës, të Evropës dhe vetë Italisë.
Kthesa politike e Macron është jashtëzakonisht e rëndësishme, jo vetëm sepse Franca është një nga vendet më të rëndësishme në kontinent, si dhe një fuqi bërthamore. Por sepse për një kohë të gjatë presidenti francez ka qenë një nga mbështetësit më të kujdesshëm të arsyeve të Ukrainës. Ishte Macron, ai që negocioi me Putinin për ta bindur atë të mos pushtonte Ukrainën. Ishte po udhëheqësi francez që u përpoq të bindte Zelenskin të lëshonte territoret e pushtuara ushtarakisht nga rusët. Ishte Macron ai që e shpalli NATO-s një aleancë në një “gjendje kome” pak para fillimit të luftës.
Dhe ishte Macron, ai që nuk donte të poshtëronte Putinin, po Macron që nuk donte të armatoste Ukrainën deri në dhëmbë për t'i ofruar Putinit një rrugëdalje të ndershme për t’u tërhequr nga ajo aventurë. Dy vjet më vonë, dhe në realitet 10 vjet pas pushtimit të paligjshëm të Krimesë dhe rajoneve lindore të Ukrainës Donetsk dhe Luhansk, dhe pasi kishte provuar gjithçka, Macron vendosi të merrte situatën në dorë.
I vetëdijshëm se në prag të zgjedhjeve evropiane, do të jetë në shënjestër nga agjentët rusë të dezinformimit, dhe se do të mund të mbështetet seriozisht vetëm nga Gjermania, Polonia, Britania e Madhe, popujt baltik dhe gati të gjitha vendet e ish-Traktatit të Varshavës.
Ne kemi një objektiv të qartë tha Macron në intervistën televizive të së enjtes: Rusia nuk mund dhe s'duhet të fitojë. Rezultati i luftës në Ukrainë është jetik për të. Lufta është tashmë në Evropë, dhe në tryezë janë të gjitha opsionet për të ndihmuar Ukrainën.
Nëse Rusia do ta fitonte këtë luftë, jeta e francezëve do të ndryshonte dhe ata nuk do të kishin më asnjë siguri. Personi i vetëm përgjegjës për këtë situatë është regjimi i Kremlinit. Franca është një fuqi botërore, e cila duhet ta shohë situatën me maturi por edhe vendosmëri, vullnet dhe guxim, për të treguar se është e gatshme të përdorë mjetet e nevojshme për të arritur objektivin, që është pengimi i fitores së Rusisë në Ukrainë.
Macron nuk mund të fliste më qartë sesa kaq, dhe për mua është e dhimbshme teksa vërej që në Itali nuk kemi asnjë udhëheqës të këtij niveli civil dhe moral. Sistemet liberale demokratike, sot kanë një udhëheqës të vërtet evropian, jo vetëm të vjetrin Joe Biden, i gatshëm për t'i mbrojtur ata nga agresorët, por padyshim gjithmonë përkrah popullit të guximshëm ukrainas./Përshtati Pamfleti nga “Linkiesta”
Lini një Përgjigje