TAGS-AT E JAVËS

Forum17 Mars 2025, 15:37

Lufta e Putinit nuk do të përfundojë derisa të rindërtohet perandoria sovjetike

Shkruar nga Hamish de Bretton-Gordon

 

Lufta e Putinit nuk do të përfundojë derisa të
Vladimir Putin /

Me ose pa Trumpin në krah, Britania e Madhe dhe Evropa duhet të marrin në konsideratë të gjitha opsionet. Putin reagon vetëm ndaj forcës. Një zonë e ndalim-fluturimit mbi Ukrainë apo vendosja e trupave të NATO-s në tokë, mund të pengojnë përparimin e ushtrisë ruse drejt Perëndimit…

Duhet të jetë e qartë për të gjithë se Vladimir Putini nuk ka asnjë interes për paqen, diçka që kryeministri britanik Keir Starmer e përsëriti së fundmi në samitin e “Koalicionit të Vullnetit”, ku udhëheqësit diskutuan mbi mënyrën e zbatimit të një armëpushimi.

Kryeministri tha: ”Nëse Putin është vërtet serioz për paqen, atëherë zgjidhja është shumë e thjeshtë. Ai duhet të ndalë sulmet e tij barbare ndaj Ukrainës dhe të bjerë dakord për një armëpushim”. Por nuk duket i mundur asnjë rezultat i tillë.

Putin pretendon se po fiton, ndaj përse do të ndalonte luftën pikërisht tani, duke pranuar edhe dështimin pasi shkaktoi mbi 1 milion të vrarë e të plagosur? Kërkesat e presidentit rus që në të merremi me ato që ai i quan “shkaqet rrënjësore” të luftës janë krejtësisht të papranueshme.

Ai dëshiron që NATO të kthehet në kufijtë e vitit 1997, pra pa shtetet e vogla baltike, dhe që Finlanda dhe Suedia të sapo-anëtarësuara të dëbohen nga aleanca. Ai dëshiron integrimin e plotë në federatën ruse të territoreve të pushtuara dhe njohjen ndërkombëtare të aneksimit të dhunshëm.

Po ashtu, ai këmbëngul se s’duhet të ketë trupa të NATO-s në Ukrainë, dhe që të mos harrojmë arsyet e tij - të cilat na i ka thënë prej vitesh - për pushtimin e paligjshëm. Ai kërkon në thelb ri-integrimin e plotë të gjithë Ukrainës brenda federatës ruse dhe shkëputjen e SHBA-së nga Evropa.

Putin i ka arritur pothuajse të gjitha këto të fundit, dhe agjencitë perëndimore të inteligjencës vlerësojnë se ai mendon se mund të arrijë objektivin e tij kryesor, sepse trupat ruse po përparojnë përgjatë pjesës më të madhe të linjës së frontit.

Kur fola dje me ushtarët ukrainas pranë Pokrovsk-ut, që duke përballur me një sulm të madh u detyruan të tërhiqen, ky lajm as që u raportua në media. Të vrarët dhe të plagosurit në radhët e ushtrisë ruse e kanë kaluar shifrën 1 milion, dhe Putin e di se do të përballet me “nënat ruse” sapo të përfundojë konflikti.

Ndaj dëshiron ta shtyjë këtë moment sa më shumë që të jetë e mundur. Ai është shumë i vetëdijshëm, se ishin nënat e pikëlluara ato që e detyruan Kremlinin të pranonte një disfatë të turpshme dhe tërheqjen nga Afganistani në vitin 1984, pasi ushtria ruse pësoi 17.000 të vdekur.
Ai mund ta mbulojë këtë ndërsa Rusia është ende në gjendje lufte, dhe shumë rusë nuk mund të udhëtojë nëpër botë për të zbuluar të vërtetën. Por kur të munden, ai do të përballet me telashe të mëdha.

Me ose pa Trumpin në krah, Britania e Madhe dhe Evropa duhet të marrin në konsideratë të gjitha opsionet. Putii reagon vetëm ndaj forcës. Një zonë e ndalim-fluturimi mbi Ukrainë apo vendosja e trupave të NATO-s në tokë, mund ta pengojnë përparimin e ushtrisë ruse drejt Perëndimit.
Vetëm kur Putin ta shohë që ne jemi tërësisht të përkushtuar ndaj kësaj lufte, ai do të mendojë seriozisht për paqen. Shumica e atyre në Evropë që studiojnë Putinin dhe Rusinë në çdo detaj, e dinë se nëse ai merr Kievin, nuk do të ndalet në Ukrainë.

Në fakt, ai dëshiron ta rindërtojë Bashkimin Sovjetik dhe këtë gjë e ka thënë shumë herë. Interesi kryesor i presidentit amerikan, duket se ka të bëjë me fitimin e parave nga mineralet e rralla që zotëron Ukraina. Megjithatë edhe Putin i ka thënë se mund t’i marrë ato.

Trump e di se ndërsa vendet evropiane po rritin shpenzimet e mbrojtjes, ka një shans që kompanitë amerikane në sektorin e mbrojtjes të pastrojnë stoqet që kanë nëpër magazinat e tyre. Por anulimi i disa porosive të avionëve luftarakë F-35 këtë javë, ka më shumë gjasa ta nxisë atë të anojë nga mbrojtja e mëtejshme e Ukrainës, sesa nga thirrjet e Starmer dhe Macron për ndihmë.

Nëse heqja dorë nga pajisjet ushtarake amerikane do të bëhet një praktikë e zakonshme, Trump do të ketë jo pak probleme financiare, një skenar të cilin do të dojë që ta ndalë sa më shpejt. “Shkaqet rrënjësore” të konfliktit, të përmendura nga Putin, janë thjesht kodi i Kremlinit për zgjerimin e NATO-s.

Moska nuk mund të pranojë që vendet e tjera të kenë ndikim në vendet e saj fqinje. Por zgjerimi i NATO-s është i nxitur nga sjellja dominuese e Moskës ndaj fqinjëve të saj, dhe jo sepse NATO është në thelb një aleancë ekspansioniste.

Putin nuk dëshiron paqen. Ai synon ende fitoren e plotë në Ukrainë, dhe beson se mund ta arrijë atë. Ne në Perëndim, dhe veçanërisht në Evropë, duhet ta kuptojmë realitetin e pozicionit të Putinit dhe të përgatitemi të veprojmë në përputhje me rrethanat. Trump nuk do të sjellë së shpejti paqen si me magji./Pamfleti nga “Daily Telegraph”

lufta e putinit perandoria sovjetike

Lini një Përgjigje