
Hapi i parë drejt kapjes së shtetit nga kripto-oligarkët...
Në vitin 2021, Donald Trump e quajti kriptomonedhën “një katastrofë që pritet të ndodhë” dhe një “mashtrim”. Por kur iu afrua Shtëpisë së Bardhë, ndryshoi mendje, ndoshta si pasojë e miliona dollarëve që hynë në arkat e fushatës së tij nga donatorët e kësaj industrie.
Për kënaqësinë e këtyre të fundit, Trump premtoi ta bëjë SHBA-në kryeqendrën globale të kriptomonedhës. Madje, ai foli edhe për krijimin e një rezerve strategjike në Bitcoin. Pasi fitoi zgjedhjet, mori mbi 11 milionë dollarë nga industria e kriptove vetëm për ceremoninë e inaugurimit.
Është një tipar dallues i skemave piramidale, që fitimet i marrin vetëm njerëzit në krye, dhe Trump e ka vendosur veten në majën e piramidës në mënyrë që të fitojë miliona. Kujtojmë pak sagën e monedhës dixhitale $TRUMP. Ajo u lëshua në treg 3 ditë para inaugurimit të tij.
Zakonisht monedha të tilla bazohen në tek një meme në internet dhe karakterizohen nga natyra e tyre e paqëndrueshme. Kjo i përshtatet mirë Trumpit. Sepse pasi e promovoi monedhën në mediat sociale, vlera e saj u rrit në mënyrë astronomike.
Disa nga fituesit më të mëdhenj ishin kompanitë që hodhën në treg monedhën dhe që përfituan nga tarifat e transaksionit. Ato fituan deri në 100 milionë dollarë në 2 javët e para. Një nga këto kompani ishte CIC Digital, e cila është në pronësi të vetë Trump. Ashtu si të gjitha operacionet e tjera financiare të këtij lloji, vlera e $TRUMP ra shumë shpejt. Mbi 800.000 investitorë humbën në total 2 miliardë dollarë. Sigurisht, ata nuk janë të vetmit mbështetës të Trumpit që vuajnë nga “pendimi i blerësit”.
Edhe tregu i aksioneve, që fillimisht ishte entuziast për rizgjedhjen e Trump, po përjeton një rënie shqetësuese jo shumë të ndryshme nga trajektorja e $TRUMP.
Por pavarësisht zhvlerësimit të madh të $TRUMP - ose ndoshta për shkak të suksesit të këtij mashtrimi - kriptomonedhat mbeten një pjesë thelbësore e planeve ekonomike të Trump. Dhe ai nuk është i vetmi lider i ekstremit të djathtë që është marrë me mashtrimin e popullatës me kripto.
Presidenti i Argjentinës Javier Milei, po përballet tani me pasojat e një skandali korruptiv të lidhur me $LIBRA, një monedhë meme të cilën fillimisht e mbështeti, dhe që mashtroi mbi 10.000 investitorë me një humbje totale prej 250 milionë dollarë.
El Salvadori vazhdon të jetë viktimë e fiksimit të udhëheqësit të saj Nayib Bukele për kriptomonedhat, dhe që i kushtoi vendit të tij 60 milionë dollarë kur vlera e Bitcoin ra shumë disa vjet më parë. Për të mos përmendur të gjithë energjinë dhe burimet natyrore të Salvadorit, që ka thithur procesi i krijimit të Bitcoin.
Për të kuptuar se si funksionojnë mashtrimet me kripto, duhet të njihni taktikat e “snajperimit” dhe “tërheqjes së qilimave”. Kur hidhet në treg një produkt i ri, pavarësisht nëse është një monedhë meme apo një token jo i këmbyeshëm, një grup i zgjedhur spekulatorësh bëjnë një blerje të madhe për t’ia rritur artificialisht vlerën. Nëse shumë prej këtyre “snajperëve” dalin në treg në të njëjtën kohë, vlera e kriptomonedhës bie, duke u siguruar atyre fitime afatshkurtra dhe duke lënë me gisht në gojë shumë investitorë të tjerë.
Sigurisht, këtu është thelbësore të dini paraprakisht kohën e saktë të daljes së një produktit të ri, në mënyrë që të mund të rreshtoni robotët tuaj dhe AI për të kryer blerje me volum të lartë dhe me shpejtësi të madhe, dhe më pas daljen e koordinuar nga skena.
Shitja e orkestruar e produktit kripto, njihet edhe si “tërheqja e qilimit”. Mund të jetë e papritur, si rasti me $TRUMP. Ose mund të ndodhë për një periudhë më të gjatë kohore, përmes asaj dikur njihej si “mashtrimi i gjatë”. Le të shohim pak se çfarë ndodhi në rastin e Javier Mileit në Argjentinë.
Presidenti argjentinas është një ekonomist konservator. Ai u zotua të shkurtojë shpenzimet e qeverisë, si një mënyrë për të frenuar inflacionin. Në fillim shkarkoi 30.000 punonjës të administratës, eliminoi subvencionet e qeverisë dhe ndaloi shumë projekte publike.
Nuk është çudi që Milei dhe sharra e tij elektrike, shërbyen si frymëzim për Musk dhe DOGE. Inflacioni në Argjentinë ka rënë vërtet, nga gati 300 për qind që ishte në fillim të mandatit të tij, në rreth 85 për qind në janar të këtij viti.
Megjithatë kostot e këtyre masave kanë qenë të mëdha për të varfrit. Kështu, mbi gjysma e argjentinasve jetojnë tani nën kufirin e varfërisë dhe po përballen me rritjen e kostove për ushqimin dhe shërbimet bazë. Ekonomia ka nisur të bjerë.
Milei ka sulmuar pa pushim Bankën Qendrore të vendit dhe synon përdorimin e dollarit amerikan si monedhë kombëtare. Gjatë vitit të tij të parë në detyrë, nuk e vendosi kripton në qendër të platformës së tij ekonomike.
Por përpjekjet e tij për të mënjanuar Bankën Qendrore, janë shoqëruar me një nxitje të madhe për të hequr kufizimet në shkëmbimin e monedhës. Tani argjentinasit janë përdoruesit kryesorë të kriptove, kryesisht si një mbrojtje kundër paqëndrueshmërisë së pezosit argjentinas.
Por kjo po ndryshon si rezultat i skandalit $LIBRA. Me nxitjen e disa biznesmenëve të monedhave meme, Milei miratoi përdorimin e $LIBRA ditën e Shën Valentinit. Por vlera e saj ra brenda pak orësh pasi investitorët kryesorë nisën shitjet masive.
Kur skandali nisi të përhapet, Milei u përpoq të mohonte çdo lidhje. Por kjo ishte e vështirë pasi kishte disa postime të tij në X mbi këtë kriptomonedhë, ku ai shfaqet në krah të amerikanit Hayden Davis, drejtues i Kelsier Ventures, që ishte pjesë e të njëjtës skemë mashtruese me $MELANIA, kripto e bashkëshortes së Trump, që pati trajektore të ngjashme, në fillim u vlerësuam shumë dhe më pas ra në pikiatë.
Davis bëri të njëjtën gjë me $LIBRA, duke fituar rreth 100 milionë dollarë. Ai ka premtuar se do t’u kthejë një pjesë të parave njerëzve që humbën më shumë. Por s’ka për të ndodhur. “Kjo është një lojë e brendshme. Si një kazino pa rregulla”-ka thënë Davis.
Ndërkohë nga ky skandal është zbuluar qëllimi i vërtetë i programit ekonomik të Mielit: një transferim parash nga të varfrit tek të pasurit. Nuk është rastësi që nisma e administratës Trump për shkurtimin e shpenzimeve qeveritare, DOGE, ka të njëjtin emër me një nga kriptomonedhat kryesore.
Pakësimi i mbikëqyrjes së qeverisë, eliminimi i rregulloreve dhe fuqizimi i sektorit privat tashmë të fuqishëm, janë që të gjitha në dobi të industrisë së kriptove. Por Trump nuk po shkurton vetëm shpenzimet qeveritare: ai po vendos njerëzit e tij në pozita pushteti.
Kjo përfshin financierin e krahut të djathtë David Sacks, i cili është në krye të kriptove dhe AI në administratën Trump. Po ashtu, Trump po plotëson vendet vakante në Komisionin e Letrave me Vlerë dhe Shkëmbimeve me njerëz besnikë të kriptove, të cilët tashmë kanë filluar të çmontojnë mbikëqyrjen e sektorit të kriptove.
Dhe kjo ka të ngjarë të rrisë numrin e viktimave. Por projekti më i madh i administratës Trump është rezerva strategjike e kriptove. Një rezervë e tillë strategjike nuk ka kuptim. Sepse rezerva të tilla janë të destinuara për asete të vlefshme si nafta dhe ari.
Në thelb, një rezervë e tillë është vetëm një dhuratë për të gjithë besnikët e kriptos që e kanë mbështetur Trump. Le ta quajmë si hapin e parë drejt kapjes së shtetit nga kripto-oligarkët./Pamfleti nga Eurasia Riview”
Lini një Përgjigje